Breaking News
Home / Lajme / Reagon KF Shkëndija: Ndjehemi të dëmtuar rëndë nga padrejtësitë e atyre që duhet të ndajnë drejtësinë

Reagon KF Shkëndija: Ndjehemi të dëmtuar rëndë nga padrejtësitë e atyre që duhet të ndajnë drejtësinë

Tetovë, me 26 Prill 2016

Një gabim i arbitrave i ka dhënë fitoren 1:0 Vardarit kundër Shkëndijës në ndeshjen e xhiros së 29-të e vlefshme për titullin e kampionit në LPFM. Shkëndija ndjehet e dëmtuar rëndë nga padresjtësitë e atyre që duhet të ndajnë drejtësinë dhe me këtë rast i drejtohet FFM-së me ankesë të ashpër. Në vazhdim keni komplet reagimin e drejtuar në adresë të FFM-së.

Të nderuar përfaqësues të Federatës së Futbollit të Maqedonisë dhe përgjegjës për referimin e ndeshjeve nën kompetencë të FFM-së.

Për të qenë sa më të kuptueshëm, që në fillim ‘vetë i referohemi’ thënies “humbësi ka të drejtë të zemërohet”! Ne si klub nuk po kërkojmë alibi për tu arsyetuar, sepse ndaj jush nuk e ndiejmë fare brejtjen e ndërgjegjes, madje jo vetëm për “disfatën” e djeshme. Gjithashtu ne e dimë se ky reagim yni nuk ka dimenzion legal post-festum sa i takon rezultatit i cili si “dhuratë” iu dha kundërshtarit tonë.

Që tani e theksojmë se epilogu i këtij kampionati, i ardhur nga këto “tre pikë”, nuk do të njihet nga ana jonë si klub. Kjo çudi nuk do të zgjat vetëm tre ditë!

Sipas video-materialeve dhe analizës së bërë me kujdes, ndeshja e xhiros së 29 e Ligës së Parë të FFM-së e stinorit 2015/2016 mes skuadrave seniore KF Vardar dhe KF Shkëndija është krejtësisht e parregullt. Ne si kryesi nuk jemi të kënaqur as me radhët tona sadoqë jemi të vetëdijshëm se goli i parregullt dhe i vetëm i ndeshjes ishte përcaktues për rrjedhën e takimit. Para së gjithash, për të mirën e futbollit dhe për nder të atyre që investojnë në të, nuk mund t’i mbyllim sytë para një padrejtësie kaq të dukshme, me indikacione për gabime të qëllimshme kundër klubit tonë.

Për xhiron e 29 të LPFM, ajo që më së shumti na dëshpëron është referimi. Sigurisht që nuk na pëlqejnë humbjet, por është e qartë se ambicjet dhe planet tona janë afatgjate dhe për ndërtimin e asaj që po kërkojmë duhet kohë. Por, po ju themi se ndarja e këtillë e drejtësisë i prish jo vetëm planet tona, por është pengesë për përparimin e futbollit në tërësi. Nuk po arrijmë të kuptojmë se si është e mundur një refer (ndihmësi i dytë Goce Petreski) t’ia lejojë vetes të ndikojë në rezultatin përfundimtar të ndeshjes, ku goli ishte krejtësisht i parregullt (bashkëlidhur, foto dhe video-material). Në mënyrë të qartë duket dhe sjellja e lojtarit që asistoi golin, ky para se të “manifestojë gëzimin”, kthen kokën dhe çuditshëm shikon kah referi anësor! Akoma më i madh bëhet dëshpërimi kur dihet se në këtë ndeshje kanë referuar arbitra me shenjën e FIFA-s, që për ne është e pakuptueshme një refer nga një pozitë e qartë, i ndodhur “tamam në vijën e ofsajdit”, të bëjë një gabim të këtillë. Ne si kryesi disa herë i kemi parë të gjitha detajet dhe nga to duket qartë se në vend të ndarjes së drejtësisë këtu është ndarë padrejtësia! Ç’është e vërteta, sot edhe vetë arbitri anësor e ka pranuar këtë, pasiqë ekzistojnë dëshmi materiale. Presim që ai këtë ta bëjë edhe publikisht.

Nga analiza e detajuar e video-materialeve duket qartë dëmi që na vjen nga referët. Gjatë zhvillimit të takimit, shumë lojtarë tanët provokoheshin nga “kolegët” e tyre madje edhe nga lojtarët rezervë nga pankina e skuadrës nikoqire ndërsa asnjëri nga referët nuk reagoi për këtë. Më i rëndi ishte ofendimi me bazë nacionale drejt shefit të stafit tonë teknik që i erdhi nga Goce Sedllovski. Interesi ynë si klub është të kemi referim korrekt dhe këtë duhet të na e garantojë FFM-ja. Tashmë jemi të bindur se “shtëpia jonë e futbollit” nuk mund sigurojë referim korrekt? Për të gjitha këto, me emra konkretë, do të dërgohet materiali i plotë audio dhe video, në adresë të “Shtëpisë ndërkombëtare të futbollit”.

Kjo ankesë i tejkalon ngjarjet e ditës së djeshme. Nëqoftëse i shikojmë gjërat në mënyrë kronologjike, e tëra kjo parodi nis me takimin mes përfaqësuesve të dy klubeve së bashku me përfaqësuesit e FFM-së dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), të mbajtur para takimit të xhiros së 27 të LPFM. Kjo ndeshje me qëllim dhe pa nevojë u shpall si ndeshje me rrezikshmëri të lartë. Në këtë takim ekipi nikoqir (KF Vardar) që është organizator i ndeshjes jo vetëm që nuk i lejoi ekipit mysafir (KF Shkëndija) t’i sjellë tifozët në mënyrë të organizuar, por nuk i lejoi të vinin për ta ndjekur këtë ndeshje të shumëpritur as simpatizuesit e thjeshtë futboll-dashës me përkatësi kombëtare shqiptare. Kjo mund të ndodh vetëm në futbollin tonë këtu në Maqedoni, pra tu ndalohet hyrja në stadium vetëm një pjese të futboll-dashësve vetëm e vetëm pse e kanë emrin shqiptarë! Për të qenë tragjedia akoma më e madhe, po në atë takim sillet vendimi që kryesia dhe miqtë e ekipit mysafir të vendoset te lozha e improvizuar VIP, në tribunën jugore të stadiumit Arena Filipi II, pa patur këtu as forca minimale për sigurinë e tyre, dhe tashmë dihet se si e pësuan këta.

Mbetën të lënduar tre anëtarë të kryesisë së ngushtë dhe dhjetëra të keqtrajtuar të cilët së bashku u nxorën nga stadiumi akoma pa mbaruar pjesa e parë e takimit. Krahas brohoritjeve neveritëse fyese me bazë kombëtare, delegati nuk e pa të udhës të bëjë vërejtje, siç veprohet për shembull në Tetovë apo Çair.

Në gjithë këtë parodi, më qesharak dhe i palogjikshëm ishte informacioni që erdhi nga Komisioni i Disiplinës i FFM-së lidhur me incidentin. Gjatë gjithë javës ata nuk patën mundësi ta “mbledhin forumin” e ta shqyrtojnë ngjarjen dhe ankesën nën arsyetimin qesharak – klubi kundështar nuk e ka pranuar thirrjen dhe akoma nuk ka bërë deklaratë! E tëra ishte e qartë, – zvarrritje me qëllim që mos të dënohet klubi por as terreni për shkak të ndeshjes së ardhshme sërish me Shkëndijën ku Vardarit do t’i ‘dhuroheshin’ tre pikët me rezultatin e parregullt. Po mirë, ju zotërinj të “shtëpisë së futbollit”, deri këtu paska rënë niveli i inteligjencës suaj institucionale që aq poshtë ta vlerësoni mesataren e inteligjencës së opinionit publik.

Imagjinoni çfarë kapaciteti institucional keni në rregulloret tuaja, të cilave u referoheni gjithmonë. Për shembull rregullorja në bazë të të cilës e merr dënimin referi për shkak të një iks gabimi, shqyrtimi dërgohet te po ai “komesar” që e ka aprovuar vendimin paraprak. Ku është shkalla e dytë vendimit? Dhe ç’ndodh pas ankesës post-festum, pra sikurse në këtë rast! Se ky nuk është dyshim i pabazë, ju rikujtojmë se ju as që i shqyrtoni këto akte dhe gjendje, pasiqë për raste të ngjashme keni marrë njoftime me shkrim nga KF Shkëndija edhe në sezonat e kaluara (shikoni arkivin nr. 417-10/2014, 20.10.2014).

KF Shkëndija investon shuma të mëdha parashë, energji dhe kulturë në përpjekje për të ndërtuar ekip cilësor e për të dhënë kontribut në avansimin e futbollit në Maqedoni, ndërsa veprimet tuaja e kanë sjellë Maqedoninë të rangohet në vendin e 140 në futbollin botëror.

Përkrah të gjitha këtyre lëshimeve KF Shkëndija i ka respektuar të gjitha pikat e rregullores për garim nën organizimin e FFM-së! Kjo “shtëpi” ose do t’i respektojë në mënyrë të barabartë obligimet e veta ndaj të gjitha klubeve, me theks të veçantë referimin korrekt, ose ne si klub do të jemi të detyruar, krahas njoftimeve të vazhdueshme të të gjitha strukturave të UEFA-së dhe FIFA-s, ta rishikojmë mënyrën tonë të veprimit në të ardhmen ndaj jush dhe strukturave tuaja të “pavarura”!

Së fundmi, një klub për të qenë kampion, këtë duhet ta meritojë dhe jo titulli t’i dhurohet. Një status të tillë ne nuk e pranojmë dhe nuk do ta njohim!

MY GAME IS FAIR PLAY!

KF SHKËNDIJA SH.A.

Tetovë, 25/04/2016

/Radio Vala

992 total views, 1 views today

About Kasam Selimi

Check Also

Shqiptarja Diellza Sejdiaj, Kampione e Botës në Karate Kumite me Zvicrën

Lisbonë/Portugali, me 20/22 Shtator 2019 Diellza Sejdiaj është shpallur Kampione e botës në Karate, në …

Lini një Përgjigje

Këtë e pëlqejnë %d blogues: