Breaking News
Home / Arsim / UT dhe Northern Illinois University organizuan konferencë shkencore

UT dhe Northern Illinois University organizuan konferencë shkencore

Tetovë, 13 Maj 2016
Fakulteti i Shkencave të Zbatuara i Universitetit të Tetovës në bashkëpunim me Kolegjin e Inxhinierisë dhe inxhinierisë teknologjike të Universitetit Northern Illinois nga Cikagoja e SHBA-ve, organizuan konferencën e dytë shkencore ndërkombëtare ICAS2.
Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. dr. Vullnet Ameti, në hapjen e kësaj konference para të pranishmëve theksoi se kjo konferencë ndërkombëtare përfaqëson vlera shkencore dhe për pjesëmarrësit, studiuesit nga rajoni dhe bota, që e mbështesin cilësinë e kërkimit, përbën një mundësi të shkëlqyer për të realizuar një forum shkencëtarësh në lëmin e shkencave aplikative. “Universiteti i Tetovës ka krijuar traditën e organizimit të konferencave shkencore, duke krijuar kështu një profil që është në kërkim të zhvillimeve më të fundit në disa lëmi shkencore, duke filluar nga studimet e albanologjisë e deri te hulumtimet e teknologjisë informative dhe të inovacionit. Organizimi i një aktiviteti shkencor sigurisht që nuk është i lehtë, por duke pasur parasysh se në këto takime marrin pjesë personalitete të njohura, studiues të dëshmuar që diskutojnë rreth çështjeve tejet të rëndësishme, ne të gjithë së bashku duhet të angazhohemi në këtë drejtim për të përmbushur përgjegjësitë që kemi ndaj shoqërisë, dhe kjo përbën një nga qëllimet kryesore për të gjithë ne. Sa më shumë që të bëjmë ne sot, aq më shumë rrugë i hapim diturisë në të ardhmen. Investimi ynë sot, në kapitalin intelektual, është investimi më i mirë që ne mund të bëjmë për të nesërmen. Takimet mes studiuesve dhe shkencëtarëve të fushave të ndryshme, pavarësisht nga koha dhe vendi ku zhvillohen, sikurse çdo konferencë e llojit të vet, ngërthejnë në vete një qëllim dhe një funksion të përbashkët”, tha Rektori i UT-së Prof. dr. Vullnet Ameti.
Studiuesit në këtë konferencë me fjalë rasti i përshëndeti edhe Rektori i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, Prof. dr. Agron Bajraktari, i cili tha se këto konferenca arrijnë të tubojnë studiues të ndryshëm nga lëmit e shkencave aplikative. “Ndjehem i nderuar që jam sot në këtë konferencë dhe kam kënaqësinë të jem sot në këtë konferencë shumë të rëndësishme të shkencave aplikative, konferencë kjo e dyta e organizuar nga Fakulteti i Shkencave të Zbatuara i Universitetit të Tetovës. Shpresojmë që në të ardhmen bashkëpunimi mes universiteteve tona të rritet dhe në të ardhmen të organizojmë konferenca të përbashkëta, qoftë këtu në Tetovë, qoftë në Ferizaj, dhe besoj se këto do t’i realizojmë në një kohë shumë të afërt”, u shpreh Prof. dr. Agron Bajraktari.
Dekani i Fakultetit të Shkencave të Zbatuara, Doc. dr. Nderim Zeqiri vlerësoi se konferenca shënon një hap të suksesshëm në lidhjen e disa fushave shkencore ku trajton tema të ndryshme. “Kjo konferencë me karakter ndërkombëtar dhe njëherë shënon hap të suksesshëm, në lidhjen e disa fushave shkencore, duke trajtuar tema nga modelimi, strukturimi dhe projektimi, konstruktimi, infrastrukturë dhe rrugë, e deri te sistemet mekatronike, sistemet e kontrollit, materialet, planifikimi në aspektin e gjeodezisë dhe gjeoinformatikës, menaxhimi i komunikacionit dhe transportit etj.”, deklaroi Doc. dr. Nderim Zeiqiri.
Koordinatori i konferencës ICAS2, Doc. dr. Ferit Idrizi tha se konferenca do të mbahet në katër sesione shkencore. “Për këtë konferencë kemi përzgjedhur për prezantim gjithsej 50 punime, të cilët do të prezantohen në 4 sesione paralele, si Mekatronikë, Ndërtimtari dhe Arkitekturë dhe dy seanca të tjera që për herë të parë i organizojmë. FSHZ-ja përkujdeset që t’u ofrojë hapësirë edhe për perspektivë. Siç keni vërejtur, konferenca i sivjetme, përpos numrit të theksuar të studiuesve të rij ka për risi dy sesione të reja: atë të Gjeodezisë dhe Komunikacionit”, tha Doc. dr. Ferit Idrizi.
Po ashtu, në këtë konferencë mori pjesë edhe Prof. dr. Ismail Kabashi nga Universitetit Teknik i Vjenës, njëherit i angazhuar edhe në degën e Gjeodezisë dhe Gjeoinformatikës në Fakultetin e Shkencave të Zbatuara të Universitetit të Tetovës, i cili prezantoi një ligjëratë të shkurtër, me temë: “Gjeomonitorimi automatik i digave me metoda të avancuara”. Në konferencën e dytë shkencore ICAS2 që u organizua nga Fakulteti i Shkencave të Zbatuara i UT-së në bashkëpunim me Kolegjin e Inxhinierisë dhe Inxhinierisë Teknologjike të Universitetit Northern Illinois nga Çikago e SHBA-ve u prezantua edhe revista shkencore e FSHZ-së e titulluar ,,Jurnal of Applied Sciences ose JAS-SUT”, me dy numrat e saj, të cilët përmbajnë materiale dhe punime shkencore nga konferenca e parë./Radio Vala

1,754 total views, 3 views today

About RV2

Check Also

Shtatë Vjet RADIO VALA

Bern/Gostivar, me 10 Prill 2019 Sot mbushen 7 vjet nga themelimi i Dritares Informative www.radiovala.com, …

Lini një Përgjigje

Këtë e pëlqejnë %d blogues: