Home / Arsim / USHT organizoi Konferencë shkencore për arsimin dhe edukimin në shoqëritë me diversitet kulturor

USHT organizoi Konferencë shkencore për arsimin dhe edukimin në shoqëritë me diversitet kulturor

Shkup, 28 tetor 2016
Në Universitetin Shtetëror të Tetovës, i filloi punimet Konferenca shkencore ndërkombëtare, me temë: “Arsimi dhe edukimi në shoqëritë me diversitet kulturor”.
Kjo konferencë u organizua nga Fakulteti Filozofik i Universitetit të Tetovës në bashkëpunim me Fakultetin e Edukimit të Universitetit ,”Kadri Zeka” nga Gjilani i Republikës së Kosovës.
Konferencën e shpalli të hapur Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. dr. Vullnet Ameti. Ai tha se Universiteti i Tetovës, si një qendër e edukimit, kërkimit shkencor dhe debatit të lirë, ka nderin që sot të hapë dyert dhe të jetë nikoqir i një ngjarje shkencore shumë të rëndësishme për tematikën që ajo do të trajtojë.
“Kam kënaqësinë që në emër të Universitetit, stafit akademik dhe studentëve t’ju uroj mirëseardhje në hapjen solemne të Konferencës shkencore ndërkombëtare ‘Arsimi dhe edukimi në shoqëritë me diversitet kulturor’, që organizohet nga Universiteti ynë dhe Universiteti ‘Kadri Zeka’ nga Republika e Kosovës. Gjatë dekadave të fundit, shumë shtete i kanë filluar reformat gjithëpërfshirëse në arsim për të përgatitur më mirë kuadrot për sfidat me të cilat ballafaqohen në profesionin e tyre. Në vlerësimin e përgjithshëm, arsimimi dhe edukimi në mjediset multikulturore është proces kompleks dhe paraqet sfidë sidomos për punonjësit e kësaj fushe. Mirëpo, me një angazhim më të gjerë, me idenë se diversiteti kulturor na afron më shumë në funksion të përqafimit të vlerave kulturore të njëri-tjetrit, ne të gjithë së bashku do të ndihmojmë në forcimin e kapaciteteve të arsimit dhe edukimit në shoqëritë me dallime të theksuara kulturore. Fillimi i punimeve të kësaj Konference ndërkombëtare që organizohet për të katërtën herë me radhë, konfirmon angazhimin tonë të përbashkët që edhe në mjediset tona akademike, të debatojmë, të paraqesim pikëpamjet tona intelektuale edhe për këto tema që për pjesën dërmuese të shteteve të Bashkimit Evropian dhe vendeve të zhvilluara perëndimore janë kryefjala e përparimit dhe avancimit kulturor e arsimor”, tha Prof. dr. Vullnet Ameti.
Në emër të Rektorit të Universitetit “Kadri Zeka” nga Gjilani, pjesëmarrësve në konferencë me fjalë përshëndetëse ju drejtua Prorektori për mësim, kërkime shkencore dhe çështje studentore e Universitetit “Kadri Zeka”, Prof. dr. Shpresë Qamili.
Ajo tha se kjo konferencë tanimë ka zgjuar interesim të jashtëzakonshëm te akademikët, studiuesit dhe profesionistët e fushave të ndryshme, dhe këtë vit në fokus ka arsimimin dhe edukimin.
“Organizimi i një konference shkencore synon, mbi të gjitha, avancimin e dijes dhe aplikimin e san ë jetën reale, si dhe mundësinë zbatuese për të mirën e njerëzimit. Rezultati kryesor i një konference shkencore është se ajo ndihmon pjesëmarrësit të bëjnë kërkime shkencore me vlerë, për të gjetur dhe për të kuptuar ide të reja dhe për të shpërndarë hulumtimet e tyre për aplikimin e tyre në jetën reale dhe profesionale, për të nxitur debate, për t’i inkurajuar hulumtuesit e tjerë për gjetje akoma më të thelluara. Megjithatë, akoma më me rëndësi, organizimi i një konference ndërkombëtare-shkencore ndikon në ngritjen e nivelit shkencor, ku dija dhe kërkimi shkencor janë në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm kulturor, shoqëror, arsimor dhe ekonomik”, tha Prof. dr. Shpresë Qamili.
Dekani i Fakulteti Filozofik të Universitetit të Tetovës, Prof. dr. Fadbi Osmani vlerësoi se dy universitetet, në frymën e bashkëpunimit realizojnë një projekt shumë të rëndësishëm, i cili flet mbi një çështje shumë të rëndësishme dhe shumë aktuale, e që ka të bëjë me edukimin dhe arsimimin në shoqëritë me diversitet kulturor.
“Dy universitetet tona dhe pjesëmarrësit do të debatojnë për segmentin i cili ka të bëjë me hulumtimin e këtyre fenomeneve shoqërore dhe shkencore, e që ka për qëllim pasurimin dhe begatimin, e aq më tepër avancimin e mësimdhënies. Në shkencën pedagogjike, sot theksohet se arsimi i vërtetë është ai që nuk e hedh poshtë traditën, të kaluarën, as të tanishmen, por që është i orientuar më tepër nga e ardhmja dhe ardhmëria”, deklaroi Prof. dr. Fadbi Osmani.
Ndërsa dekani i Fakultetit të Edukimit i Universitetit “Kadri Zeka” nga Gjilani, Prof. dr. Januz Dervodeli tha se konferencat e këtilla do të ndikojnë fuqishëm në motivimin e studentëve.
“Është kënaqësi që jam në mesin tuaj. Sa herë që vij në Universitetin e Tetovës më duket vetja se jam në qytetin më të bukur të Kosovës. Le të shërbejë kjo konferencë shkencore si një faktor i fuqishëm inspirimi për studentët tanë, të cilët duhet të vinë pas nesh, por se duhet të ecin pas nesh. Në këtë kuptim, prandaj mund ta citojmë të vërtetën e Katonit, se: “Rënia e shkencës është e hidhur, por fruti i saj është i ëmbël”, u shpreh Prof. dr. Januz Dervodeli.
Koordinatori i kësaj konference shkencore, Doc. dr. Ibish Kadriu vuri në dukje se objektivat e kësaj konference të organizuar nga dy universitetet tona janë: ekspozimi i praktikave, përvojave dhe i modeleve të edukimit ndërkulturor në Maqedoni, Kosovë dhe në vendet e referuesve pjesëmarrës në këtë konferencë.
“Kjo konferencë do të merr rëndësi të vlerës së shtuar edhe për faktin se, partneritetit shkencor-universitar, i lidhjeve bashkëpunuese të vendosura më parë, me rastin e konferencave shkencore të shkuara, u shtohen për bashkëpunim edhe aktorë të rinj të botës akademike-universitare, duke e forcuar kështu kapacitetin e një sinergjie akademike, intelektuale dhe shkencore në rrafsh rajonal, pra, në rrafsh Ballkanik, si dhe brenda rrafshit ndërshqiptar si kryeshtyllë dhe vektor aktiv i kësaj sinergjie shkencore-universitare”, nënvizoi Doc. dr. Ibish Kadriu.
Në kuadër të kësaj konference, Fakulteti Filozofik i UT-së prezantoi para të pranishmëve, si dhe opinionit shkencor e publik edhe frytin e radhës të një pune editoriale shkencore, numrat: V dhe VI të revistës shkencore “PHILOSOPHICA”, një revistë në rrugën e afirmimit të saj.
Në këtë konferencë shkencore marrën pjesë mbi 100 studiues nga vendi, Republika e Kosovës, Republika e Shqipërisë, si dhe studiues eminentë nga rajoni, ku u prezantuan mbi 50 punime shkencore.
Kurse Prof. dr. Adem Tamo nga Universiteti i Tiranës zhvilloi një ligjëratë profesionale mbi edukimin pedagogjik në shoqëritë tona. /Radio Vala

687 total views, 2 views today

About RV2

Check Also

KF Gostivari fituese ndaj mysafirëve nga Dubai, Masfout Sport Club

Gostivar, me 16 Gusht 2017 Klubi Futbollistik Gostivari ka fituar në miqësoren e fundit para …

Lini një Përgjigje