Home / Lajme / Bursa për studentët me sukses më të mirë në USHT

Bursa për studentët me sukses më të mirë në USHT

Tetovë, 3 nëntor 2016
Në Universitetin e Tetovës, sot në mënyrë solemne u ndanë vendimet për lirim nga participimi për studentët e dalluar, të cilët gjatë studimeve të tyre kanë shënuar rezultate të shkëlqyera.
Në ceremoninë solemne për ndarjen e bursave, Rektori Prof. Dr. Vullnet Ameti, para stafit akademik, studentëve dhe familjarëve të tyre, tha se kjo ngjarje është nga më të veçantat në veprimtarinë arsimore dhe shkencore të Universitetit të Tetovës.
“Të gjithë jemi dëshmitarë se Universiteti ynë zhvillon një agjendë të ngjeshur arsimore dhe shkencore, por aktivitetet e këtilla që pasqyrojnë arritje në lëmin e dijes, janë dëshmia më e qartë se Universiteti i Tetovës ka profilizuar veten e tij si institucioni i cilësisë, i mundësive të mëdha për të rinjtë dhe është shndërruar në alternativën më të sigurt për arsimimin e brezave ndër vite. Më lejoni t’Ju njoftoj se në përputhje me Ligjin për arsim të lartë, Statutin e Universitetit të Tetovës dhe me vendim të Senatit, të miratuar nga Rektori, ne sot do të ndajmë bursat universitare për 120 studentë të ciklit të parë dhe të dytë në vitin akademik 2016/2017. Me këtë rast, si Rektor i USHT-së i përgëzoj ekselentët tanë që kanë plotësuar kriteret e kërkuara arsimore dhe i kanë fituar bursat universitare në bazë të punës, aftësisë dhe meritës së tyre dhe njëherit u shprehi mirënjohjen për kontributin dhe nderin që i bëni Universitetit tonë dhe Universitetit tuaj”, tha Ameti.
Ai, po ashtu falënderoi edhe profesorët, të cilët me angazhimin, përvojën dhe pasionin e tyre janë bërë pjesë e pandashme e karrierës dhe suksesit të studentëve, por mbi të gjitha, shtoi se respekt dhe mirënjohje të veçantë meritojnë prindërit dhe familjet e tyre, që i kanë mbështetur në këtë histori suksesi, ngase pa përkrahjen e tyre një arritje e tillë do të ishte e pamundur.
“Takimi i sotëm me studentët, ekselentë të fakulteteve tona, të cilët janë sot këtu si rezultat i përkushtimit për arsimim dhe dije, na bën të ndjehemi të realizuar secilin prej nesh në angazhimin dhe detyrën tonë, duke na dhënë kurajë të vazhdojmë në këtë rrugë për të realizuar objektivat dhe prioritetet e institucionit tonë. Universiteti ynë deri më sot ka kaluar sfida dhe ka shënuar suksese nga më të ndryshmet, por aktivitetet e këtij lloji e dëshmojnë qartë se ky institucion ka avancuar dukshëm në rrugën e edukimit dhe përgatitjes së kuadrove të reja për të gjitha lëmitë e nevojshme për një shoqëri të përparuar”, shtoi mes të tjerash Ameti.
Studentët që i pranuan bursat e falënderuan Rektorin Ameti, si dhe organet e tjera të Universitetit të Tetovës, për mbështetjen që u japin atyre, duke vlerësuar se këto bursa i motivojnë ata që edhe në të ardhmen të angazhohen që t’i vazhdojnë studimet e tyre me të njëjtin ritëm. /Radio Vala

250 total views, 2 views today

About RV2

Check Also

(Video) FC Kosova e Cyrihut të Dielën kundër AC Bellinzona kërkon fitoren e tretë në Kampionat

Cyrih, me 18 Gusht 2017 Pas dy fitoreve të radhazi në Kampionat, në Ligën e …

Lini një Përgjigje