Home / Lajme / BDI prezenton programin e vet ekonomik para të rinjve shqiptarë

BDI prezenton programin e vet ekonomik para të rinjve shqiptarë

Tetovë, 8 Nëntor 2016
Një delegacion i BDI-së i përbërë nga ministri i Ekonomisë, Driton Kuçi, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Pishtar Lutfiu, sekretari shtetëror në Sekretariatin për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, Ejup Halimi dhe sekretari shtetëror në Ministrinë për Shoqëri Informatike, Jahi Jahiu sot në Shkup para studentëve, të rinjve dhe të rejave shqiptare promovuan programin ekonomik të Bashkimit Demokratik për Integrim.
Para të rinjve në fjalimin e tij, ministri i Ekonomisë, Driton Kuçi, siç njofton Zyra për informim e BDI-së, paraqiti atë që deri më tani e ka bërë Bashkimi Demokratik për Integrim që nga themelimi në vitin 2002, themelim ky, siç thuhet, i një partie që është pasardhëse e luftës për barazi të vitit 2001.

“Bashkëmoshatarët tuaj, viteve të nëntëdhjeta, pika e parë nuk kishin ku të shkolloheshin, nuk kishte asnjë universitet shqiptar në Maqedoni, por edhe ata që mbaronin studimet në gjuhën maqedone, as që mund të ëndërronin të punësohen, përveç atyre pak që kishin prindërit në pozita të larta politike, edhe ata e kishin punën në pikëpyetje por ishin më mirë se të tjerët, dhe pushteti maqedonas iu jepte pak beneficione, shkollimin e fëmijëve dhe punësimin e tyre. Përfaqësimi në administratë ishte 1 deri në 2 për qind shqiptarë, edhe atë në nivelet më të ulta të mundshme”, tha Kuçi.

Ai shtoi se sa i përket biznesit te shqiptarëve thuaja se nuk ekzistonte.
“Përdorimi i flamurit dhe të gjuhës shqipe, nuk ekzistonte si term, shqiptarët shtypeshin, duke cekur rastet e Bit Pazarit e deri te ato të Gostivarit. Sot ne në krye me Ali Ahmetin dhe BDI-në, kemi afro 20 për qind shqiptar në institucionet e vendit, 18 komuna shqiptare, flasim shqip në Parlament e gjetiu, kemi me mijëra kompani shqiptare, kemi Odë Ekonomike shqiptare, kemi jo një po tre universitete në gjuhën shqipe, ndërsa janë themeluar tre zona të mëdha të Lira në Maqedoninë perëndimore, në Tetovë, Kërçovë dhe Strugë, pa përmendur këtu atë të Shkupit ku e kemi gjysmën dhe të Likovës që do ta hapim së shpejti”, tha Kuçi.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Pishtar Lutfiu tha se të rinjtë tani më kanë universitetin e tretë në gjuhën shqipe, atë Nënë Tereza në Shkup, një projekt i realizuar në vepër dhe që lehtëson jetën e studentëve shqiptarë në kryeqendër e gjetiu.

Sekretari shtetëror në Sekretariatin për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, Ejup Halimi tha se në amdiministratën shtetërore janë punësuar 20 mijë të rinj, dhe tani është duke u punuar në avancimin e tyre. Sekretari shtetëror në Ministrinë për Shoqëri Informatike, Jahi Jahiu tha se ministria ku ai bën pjesë gjithmonë është në shërbim të të rinjve.
Në takim u prezantuan elementet kryesore të platformës së BDI-së për zgjedhjet e dhjetorit siç janë: vend pune për së paku një anëtar të çdo familje shqiptare ne sektorin publik, ngritja në karrierë e shqiptarëve në organet shtetërore, pagat dhe pozicionet në administratë, të jenë në bazë të arsimit dhe performancës, shtim i investimeve të huaja në zonat e Maqedonisë veriperëndimore, objektivi në arsim: Tre universitetet në shqip, mes 500 universiteteve më të mira në botë. /Radio Vala

533 total views, 2 views today

About Kasam Selimi

Kasam Selimi është Gazetar Profesionit, i Diplomuar në Universitetin e Tetovës në Degën e Gazetarisë dhe në Institutin e Mediave të Maqedonisë. Është Anëtar i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë SHGM. Gjithashtu është edhe Anëtar i Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve (IFJ). Është i Regjistruar edhe i pranuar si përfaqësues sportiv nga Federata Evropiane e Futbollit UEFA, (F.A.ME) platform. Kasam Selimi është Ideator dhe Themelues i Dritares së parë Informative në gjuhën Shqipe në Gostivar RADIO VALA. Për herë të parë me gazetari ka filluar të merret në vitin 2005 si praktikant në Radio Gostivar, ndërsa nga viti 2007 aktivisht punon si Gazetar.

Check Also

Sukses historik i FC Kosovës së Cyrihut, kualifikohet në Raundin e 2-të të Kupës së Zvicrës

Neuchatel, me 13 Gusht 2017 Debutimin historik në Xhiron kryesore të Kupës së Zvicrës në …

Lini një Përgjigje