Breaking News
Home / Lajme / Xhevdet Spahiu: Ka ardhur koha të dëgjohet zëri i diasporës shqiptare

Xhevdet Spahiu: Ka ardhur koha të dëgjohet zëri i diasporës shqiptare

Intervistë me kandidatin për deputet nga diaspora, Xhevdet Spahiu për Albinfo.ch

Intervistën e ka realizuar Sevdail Tahiri
Xhevdet Spahiu, me origjinë nga Kërçova, afarist në Zvicër dhe Maqedoni, njëri nga kandidatët e mundshëm për deputet nga diaspora, zotohet se do të jetë zëri i mërgimtarëve në Parlamentin e Maqedonisë. Në një intervistë për albinfo.ch, kandidati nga radhët e BDI-së thotë se në radhë të parë përfaqëson diasporën shqiptare, por jo direkt partinë.

Profesori i gjuhës gjermane tha se ka ardhur koha që zëri i mundit dhe djersës së diasporës shqiptare të dëgjohet aty ku e ka vendin, duke i ftuar bashkatdhetarët e tij që të mobilizohen dhe të regjistrohen për të votuar më 10 dhjetor nëpër ambasada dhe konsullata gjithkund nëpër botë.

albinfo.ch: Pse vendosët të kandidoheni për deputet të diasporës?

Xhevdet Spahiu: Nominimi im erdhi nga shoqata “Cërvica”, një ndër shoqatat e para në Zvicër, shumë mirë e organizuar. Aty kemi biseduar për nominimin tim. Kam marrë përkrahjen edhe të mërgatës kërçovare, që është diskutuar në fillim rreth përfaqësimit tonë në institucionet në vendlindje, dhe se si mund të dëgjohet zëri atje. Nga këto biseda ka dalë edhe emri im. Ideja në fillim ka qenë që ne si diasporë duhet të jemi të përfaqësuar. Ishte shqyrtuar në fillim edhe kandidimi neutral, por për shkaqe juridike të regjistrimit dhe mbledhjes së nënshkrimeve, ka qenë i pamundur. Emri është përfolur shpesh dhe tani jam kandidat i Bashkimit Demokratik për Integrim dhe jam bartës i listës në zonën e 7-të zgjedhore.

albinfo.ch: Në dy palë zgjedhje shqiptarët nuk arritën të fitojnë asnjë nga tri postet e deputetëve, për të cilët voton diaspora. A shpresoni në këto zgjedhje me ndryshimin e kodit zgjedhor?

Xhevdet Spahiu: Me ndryshimet që janë bërë, me regjistrimin që ka qenë njëra nga pikat më të dobëta në zgjedhjet e kaluara, që kanë qenë edhe pikat kryesore të humbjes sonë, unë besoj se janë evituar shumica e pengesave. Dhe, duke e ditur se ne përbëjmë shumicën absolute të diasporës, shanset janë maksimale se mund të arrijmë fitore. Prandaj, u bëj thirrje bashkatdhetarëve të mi që të mobilizohemi dhe të regjistrohemi deri më 11 nëntor, që të fitojmë të drejtën për të votuar më 10 dhjetor nëpër ambasadat dhe konsullatat e Maqedonisë, gjithkund nëpër botë. Sot vota jonë është nesër zëri ynë. Ka ardhur koha që zëri i mundit dhe i djersës shqiptare të dëgjohet aty ku e ka vendin. Dhe njëherë t’i themi stop përfaqësimit nga individ që nuk na takojnë, sepse ne jemi shumica dhe na takon përfaqësimi në parlament.

albinfo.ch: Kur jemi te mobilizimi, edhe në zgjedhjet e kaluara diaspora nuk ka treguar interesim për të votuar? Si do t’i mobilizoni mërgimtarët që një herë të regjistrohen, e pastaj të votojnë?

Xhevdet Spahiu: Mërgata shqiptare historikisht ka qenë e organizuar dhe ka dhënë provimin. Pavarësisht se në dy ciklet e kaluara ne nuk patëm sukses, mërgata gjithmonë ka qenë fitimtare. Jam i bindur se ndjenja e shqiptarit, vullneti i shqiptarit për të krijuar shtet, dhe vullneti për t’u përfaqësuar nga njerëzit e gjakut të vet do të ngritët dhe do t’i mobilizojë masat për regjistrim deri më 11 nëntor. Rasti i fundit që e ka dhënë provimin si gjithmonë diaspora është ai me rastin e Kërçovës, në vitin 2013. Diaspora kërçovare ishte mobilizuar mirë dhe pas shumë vjetëve fiton kandidati shqiptar në këtë komunë. Kjo tregon se ne kur duam, edhe e bëjmë.

albinfo.ch: A rrezikohet të shkapërderdhet vota e shqiptarëve nëse do të ketë nominime të kandidatëve shqiptarë të partive të tjera politike?

Xhevdet Spahiu: Momentalisht nuk kemi informacione se do të ketë kandidatë të tjerë të nominuar në diasporë nga partitë e tjera shqiptare. Deri në momentin e fundit mund të ndodhë gjithçka, por shpresoj nëse vjen deri aty, të mos ndikojë në përçarjen e shqiptarëve. Të mos na ndodhë ajo që u ndodhi shqiptarëve në Preshevë e Mal të Zi.

albinfo.ch: Ju jeni një afarist që vini nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim. Cilat janë, sipas jush, arsyet pse zgjedhësit e diasporës duhet të votojnë Bashkimin Demokratik për Integrim. Çka në të vërtetë ka bërë kjo parti për mërgimtarët?

Xhevdet Spahiu: Unë jam kandidat që në radhë të parë përfaqësoj diasporën shqiptare, por jo direkt partinë. Qëllimi im është që të përfaqësoj diasporën shqiptare. Dhe, këtë radhë jam në listën e Bashkimit Demokratik për Integrim. Diaspora ka potencial për t’i fituar 3 deputetët në diasporë, nëse mobilizohet si duhet. Ka vende për të gjithë nëse fitojmë. Qëllimi është i pastër dhe fisnik për përfaqësimin e diasporës shqiptare, që të dëgjohet zëri i atyre ku duhet.

albinfo.ch: Çfarë do të bëni për diasporës nëse bëheni deputet dhe a jeni në dijeni të problemeve të mërgimtarëve?

Xhevdet Spahiu:Diaspora shqiptare ka shumë halle. Diaspora shqiptare ka nevojë për përfaqësim jo me 3 kandidatë, por me edhe 5 apo 10 deputetë. Me përfaqësim nga më shumë deputetë, do të jetë pesha më e madhe në Parlamentin e Shkupit, që të sjellin më shumë ligje në dobi të mërgimtarëve.

Linku i artikullit në Albinfo.ch: http://www.albinfo.ch/ka-ardhur-koha-te-degjohet-zeri-i-diaspores-shqiptare/

1,026 total views, 1 views today

About Kasam Selimi

Check Also

Angellovski publikoi listën e futbollistëve për ndeshjet me Letoninë dhe Slloveninë

Seleksionuesi i përfaqësueses A të Maqedonisë, Igor Angellovski ka publikuar listën e futbollistëve për dy …

Lini një Përgjigje

Këtë e pëlqejnë %d blogues: