Home / Lajme / Ademi u takua me Sekretarin e Përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Austrisë, Majkëll Linhart

Ademi u takua me Sekretarin e Përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Austrisë, Majkëll Linhart

Shkup, 15 Nëntor 2016
Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë përgjegjës për Çështje Evropiane, Arbër Ademi, sot në hapësirat e Sekretariatit për Çështje Evropiane, realizoi takim me Sekretarin e përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Austrisë, Majkëll Linhart.
Në takim, siç citohet në njoftimin zyrtar, u diskutua procesi i integrimit evropian i Republikës së Maqedonisë, për të cilën Zëvendëskryeministri Ademi theksoi rëndësinë e këtij Raporti të Komisionit Evropian i cili për të tetën herë mbetet në qëndrimin e tij për gatishmërinë dhe nevojën që Maqedonia të nisë negociatat për anëtarësim me Bashkimin Evropian.
Në këtë drejtim Ademi e informoi Linhart se nga ana e Sekretariatit për Çështje Evropiane është përgatitur analizë e detajuar lidhur me gjetjet e dhëna në Raport e cila më tutje do të jetë temë e debateve të gjëra dhe gjithëpërfshirëse.
Gjatë takimit bashkëbiseduesit theks të veçantë i vendosën organizimit të zgjedhjeve demokratike dhe të besueshme në 11 dhjetor, rezultatet e të cilave duhet të jenë të pranuara nga të gjithë palët, me çka do të krijoheshin kushte që vendi më në fund të dalë nga kriza e gjatë politike dhe të fokusohet në reformat e nevojshme.
“Pas zgjedhjeve fokusi ynë duhet të vendoset në zbatimin e tërësishëm të Marrëveshjes së Përzhinos, mbështetjen e punës së Prokurorisë Speciale Publike, realizimin e Reformave Urgjente Prioritare dhe të gjitha detyrimeve që dalin nga ata si dhe zbatimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit e cila edhe më tej mbetet gur themel për të ardhmen tonë euro-atlantike”, theksoi Ademi.
Ademi theksoi se dy vendet kanë bashkëpunim të shkëlqyeshëm bilateral në nivel politik, ekonomik dhe sektorial, ndërkaq Austria edhe me tej mbetet mbështetës i fuqishëm i Republikës së Maqedonisë përmes projekteve të ndryshme për bashkëpunim. Në veçanti u theksua roli pozitiv i Maqedonisë të cilën e kishte dhe vazhdon ta ketë në menaxhimin e krizës së emigrantëve dhe parandalimin e lëvizjeve ilegale përmes vendit.
Në fund, bashkëbiseduesit theksuan se bashkëpunimi mes Republikës së Maqedonisë dhe Austrisë, do të vazhdojë në drejtim të përmirësimit të mëtutjeshme të situatës dhe realizimit të reformave në të gjitha fushat shoqërore, dhe në veçanti mbështetjen në procesin euro-integrues të Republikës së Maqedonisë. /Radio Vala

777 total views, 1 views today

About RV2

Check Also

Të Dielën në Lyss mbahet BESA CUP 2017

Të Dielën me 17 Dhjetor 2017, në Lyss të Kantonit të Bernit do të zhvillohet …

Lini një Përgjigje