Home / Lajme / Ekspertët pohojnë se Kosova nuk humb territor me demarkacionin e kufirit me Malin e Zi

Ekspertët pohojnë se Kosova nuk humb territor me demarkacionin e kufirit me Malin e Zi

Prishtinë, 21 shkurt 2017 – Komisioni i ekspertëve për matjen e territorit të Republikës së Kosovës, ka bërë publik draft-raportin e parë rreth gjetjeve për matjen e territorit të Kosovës, njoftjnë mediat kosovare.

Kryetari i komisionit, Hivzi Islami tha se territori i Kosovës aktualisht është 10 mijë e 905 kilometra katrorë.

Komisioni ka konstatuar se Kosova nuk humb territor nga demarkacioni me Malin e Zi. Zëdhënësi i këtij komisioni, Tomor Qela, ka thënë se të gjitha gjetjet e ekspertëve tregojnë se Çakorri gjendet jashtë territorit të Republikës së Kosovës. I pranishëm ishte edhe kryeministri, Isa Mustafa.

Komisioni i ekspertëve për matjen e territorit të Republikës së Kosovës, prezantoi raportin me të dhëna, materialet dhe gjetjet. Kryetari i komisionit, njëherësh kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Hivzi Islami, fillimisht në mënyrë kronologjike foli për punën e këtij komisioni. Ndërsa pas paraqitjes së argumenteve paraqiti konkluzionet. Islami tha se madhësia territoriale e Kosovës para 25 gushtit 2015, përkatësisht nga viti 1961 deri në vitin 1981 është 10 mijë e 887 kilometra katrorë. Ndërsa nga viti 1982 deri në vitin 2007 është 10 mijë e 908 kilometra katrorë. Por, megjithatë ky territor është zvogëluar pak pas demarkacionit me Maqedoninë.

“Me demarkacionin e kufirit mes ish RSFJ-së, Serbia dhe Mali i Zi dhe Maqedonisë, ka një ndryshim të vogël të sipërfaqes në zonat kadastrale të Debëlldesë, minus, Restelicës minus, dhe Dimsës plus në kufi më Maqedoninë. Prandaj madhësia territorial e Republikës së Kosovës sot është 10 mijë e 905.25 kilometra katrorë”, tha Islami.

Para konkluzioneve, argumentet e deponuara nga agjencitë përkatëse të involvuara në proces, i prezantoi Tomor Qela, që është zëdhënës i këtij komisioni. Qela tha se janë ofruar shumë argumente shkencore të autorëve të ndryshëm të botuar nëpër revista e në institucione të rëndësishme të ish Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës. Me këtë rast përmendi publikimet e Riza Çavollit, Mark Krasniqit, Bojko Bojoviqit, Marko Knezeviqit, e autor të tjerë, të cilët, sipas Qelës, dëshmojnë se Çakorri dhe Bjelluha nuk kanë qenë pjesë e territorit të Kosovës.

“Argument tjetër i deponuar në sekretarinë e Komisionit, është një libër i botuar nga Grup Autorësh, në botimin e tyre ‘Natyra e Kosovës’, Prishtinë, 1985, ku paraqesin hartën e shkallës 1 me 50 mijë të Parkut Nacional Bjeshkët e Nemuna, në të cilën vërehet qartë se Çakorri gjendet jashtë territorit të Kosovës”, tha Qela.

Qela prezantoi edhe argumentet e paraqitura nga KOST-it, Agjencia e Kadastrave të Kosovës, e agjenci të tjera, të cilat, sipas tij, tregojnë se Kosova nuk po humb territor me demarkacionin me Malin e Zi, dhe se të gjitha hartat e publikuara para viteve ’90-a janë të ngjashme me hartën e tanishme.

Kryetari i komisionit, Hivzi Islami, theksoi se pjesë e këtij komisioni nuk ishin vetëm përfaqësuesit e partive opozitare dhe përfaqësuesit e Deçanit dhe Junikut dhe Rugovës, e po ashtu tha se është kërkuar që edhe profesorët e Departamentit të Gjeografisë të Universitetit të Prishtinës të jenë pjesë e këtij procesi, mirëpo ata nuk kanë pranuar. Sidoqoftë, ai garantoi se komisioni ka qenë i pavarur në punën e tij.

“Komisioni në punën e tij ishte plotësisht i pavarur, larg ndikimeve dhe animeve politike, partiake dhe të grupeve të interesit. Në punën e tij, nga fillimi deri më sot mbisundoi profesionalizmi”, tha Islami.

Akademik Islami tha se deri më 24 shkurt në ndërtesën e qeverisë i gjithë materiali do t’i ofrohet opinionit publik dhe komisioni do të marrë parasysh çdo vërejtje të argumentuar me rastin e hartimit të raportit përfundimtar, i cili do t’i dorëzohet Qeverisë së Kosovës.

1,448 total views, 2 views today

About Kasam Selimi

Kasam Selimi është Gazetar Profesionit, i Diplomuar në Universitetin e Tetovës në Degën e Gazetarisë dhe në Institutin e Mediave të Maqedonisë. Është Anëtar i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë SHGM. Gjithashtu është edhe Anëtar i Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve (IFJ). Është i Regjistruar edhe i pranuar si përfaqësues sportiv nga Federata Evropiane e Futbollit UEFA, (F.A.ME) platform. Kasam Selimi është Ideator dhe Themelues i Dritares së parë Informative në gjuhën Shqipe në Gostivar RADIO VALA. Për herë të parë me gazetari ka filluar të merret në vitin 2005 si praktikant në Radio Gostivar, ndërsa nga viti 2007 aktivisht punon si Gazetar.

Check Also

(Video) FC Kosova e Cyrihut të Dielën kundër AC Bellinzona kërkon fitoren e tretë në Kampionat

Cyrih, me 18 Gusht 2017 Pas dy fitoreve të radhazi në Kampionat, në Ligën e …

Lini një Përgjigje