Home / Gostivar / Intervistë për Radio Vala: Nevzat Bejta: Në këtë qeverisje shqiptarët të bëhen të barabartë me maqedonasit

Intervistë për Radio Vala: Nevzat Bejta: Në këtë qeverisje shqiptarët të bëhen të barabartë me maqedonasit

Në Intervistën Ekskluzive për Dritaren Informative Radio Vala, kryetari i deritanishëm i komunës së Gostivarit, njëherit edhe Nënkryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim, z. Nevzat Bejta flet për mandatin e dytë si kryetar komune, për Zgjedhjet e ardhshme Lokale si dhe për krijimin e Qeverisë së re.
Intervista është realizuar gjatë qëndrimit të z. Bejta në Zvicër, ku me 13 Maj në qytetin e Wil-it u përurua Xhamia e re.

Intervistën e realizoi: Gazetari, Kasam Selimi

Wil/Zvicër, Maj 2017

 

RADIO VALA: z. Bejta, Ju e përfunduat mandatin si kryetar komunash, por kur pritet që të caktohet mbajtja e zgjedhjeve lokale, cila periudhë është më e përshtatshme për tu realizuar zgjedhjet?

Nevzat Bejta: Zyrtarisht e përfunduam mandatin, por tani Kryetari i Parlamentit ka filluar koorindimin me Koordinatorët e Grupeve Parlamentare për të caktuar datën e mbajtjes së Zgjedhjeve Lokale dhe me caktimin e datës njëkohësisht do bëhet edhe vazhdimi i mandatit të kryetarëve të Komunave që të mos pësojnë qytetarët. Nëse nuk do vazhdohet mandati dhe nuk do caktohet data për mbajtjen e Zgjedhjeve Lokale, Ne do kemi një bllokim të funksionimit të Komunave dhe do kemi dëme të mëdha ekonomike dhe mund të ketë edhe trazira në vendin tonë. Unë nuk mbështetem në mendimet dhe propozimet e VMRO-së. Por, si datë më e pranueshme për partitë Politike dhe për kandidatët e mundshëm për kryetar, por edhe për qytetarët do jetë fundi i Shtatorit apo fillimi i Tetorit për shkak se atëherë përfundojnë edhe pushimet, nga ana tjetër fillon viti i ri shkollor dhe qytetarët janë të kyçur në bizneset e tyre dhe në Institucionet Publike dhe atëherë mund ta kenë ma lehtë që qytetarët të zgjedhin udhëheqësit e tyre të dëshiruar për ti udhëhequr komunat e tyre.

 

RADIO VALA: Strukturat e Degës së BDI-së në Gostivar, Ju kanë caktuar Juve si kandidat i mundshëm për kryetar të komunës së Gostivarit.
Nevzat Bejta: Ka qenë mendimi i shumicës së qytetarëve, kurse strukturat e Bashkimit Demokratik për Integrim, Dega në Gostivar kanë qenë njëzëri që unë duhet të jem kandidat i mundshëm që ta udhëheq Gostivarin edhe katër vjet. Gjithë Këshillat Vendor por edhe Dega, kanë bërë hulumtime se si kandidat më i pranushëm nga qytetarët e qytetit të Gostivarit, nënkuptohet nga shumica e qytetarëve shqiptarëve, turqve, maqedonasve, romëve, jam unë dhe Kryesia e Degës dhe Këshillat Vendor shumë herët kanë vendosur që unë të jem kandidat i mundshëm për Kryetar Komune. Ne i kemi bërë edhe parapërgatitjet dhe të gjitha Këshillat kanë caktuar edhe Kandidatët e mundshëm për Këshillin Komunal të qytetit të Gostivarit.

 

RADIO VALA: z. Bejta sa e keni realizuar Programin parazgjedhor 2013/17, çfarë Ju ka ngelur pa realizuar?

Nevzat Bejta: Mund të them më mburrje, por nuk e them vetëm unë, e thonë edhe aktivistët dhe qytetarët e Gostivarit se atë që e kemi premtuar në aktivitetet parazgjedhore 2013-2017, Ne e kemi realizuar 100 %. Them njëqind përqind për shkak se Ne kemi realizuar edhe projekte që nuk kanë qenë të parapara në programin parazgjedhor, por kanë dalë nga kërkesat e qytetarëve nga vendbanimet e ndryshme. Na ka ngelur i pa realizuar një Projekt, por ka filluar ndërtimi i Fabrikës për Reciklimin e mbeturinave. Ai Projekt ka filluar, por ai nuk i takon komunës së Gostivarit, i takon gjithë Regjionit dhe janë të përfshira nëntë komuna. Sa i takon komunës së Gostivarit, atë çfarë e kemi premtuar e kemi realizuar 100 % dhe më shumë, në bazë të kërkesave por dhe projekteve të reja.

 

RADIO VALA: A mendoni se përfundimisht do filloje të zbatohet në praktik Ligji për Zhvillim të Barabartë Rajonal?

Nevzat Bejta: Vendi ynë është i ndarë në 8-të Rajone. Qeveria e shkuar nuk e ka zbatuar në praktikë Ligjin dhe nuk ju ka ndarë mjetet të cilat janë të parapara me Ligjin e miratuar në vitin 2007.
Ajo dilemë është pastruar, mjetet e parapara nga Bruto Prodhimi Vendor do Ju ndahet Rajoneve. Pastaj vetë kryetarët e komunave të atyre Rajoneve do i ndajnë mjetet për komunat më pak të zhvilluara dhe kështu do arrihet barabarësia e zhvillimit ekonomik dhe realizimi i projekteve nëpër komuna në mënyrë të barabartë.

 

RADIO VALA: Kur pritet të formohet Qeveria e re?

Nevzat Bejta: Është prioritet por edhe kërkesë e Bashkësisë së Njësive të Vetëqeverisjes Lokale me qëllim që të mos pësojnë qytetarët, të caktohet data e mbajtjes së Zgjedhjeve Lokale dhe të ju vazhdohet mandati kryetarëve aktual deri në mbajtjen e zgjedhjeve. Pastaj, faza e dytë duhet të formohet Qeveria Reformatore të cilën e presin qytetarët. Unë besoj se Qeveria e re Reformatore do të formohet shumë shpejtë. Se kush do të merr pjesë në Koalicion, do të vendosin partitë politike që i kanë dhënë mandatet dhe janë 67 deputet. Sido që të jetë, 62 mandate janë të siguruara. Pikëpyetje është BESA se a do të merr pjesë në Koalicion për shkak se duhet të gjendet gjuhë e përbashkët me të gjithë liderët të cilët e përbëjnë Koalicionin e përbashkët Reformator që do të formoje Qeveri Reformatore.

 

RADIO VALA: A mendoni se edhe Besa duhet të jetë pjesë e Qeverisë?

Nevzat Bejta: Unë nuk mund të flas si tjetër, Ne nuk kemi debatuar në Kryesinë Qendrore dhe nuk mund të supozoj për shkak se një Temë e tillë nuk është hapur në Kryesi. Nëse do të hapet, secili prej nesh do të jep mendimin e vet se a duhet të merr pjesë BESA në Qeveri. Mbi të gjitha, mendimi im është, Ne duhet të jemi pjesëmarrës së bashku, se qeverisjen që e bëjmë së bashku nuk e bëjmë për interesat personale, por e bëjmë për interesat e shoqërisë shqiptare dhe tjerëve. Qëllimi kryesor në këtë qeverisje është që shqiptarët të bëhen të barabartë me pjesëtarët e komunitet maqedonas. Njëherë e përgjithmonë të mbyllen problemet e hapura kombëtare dhe të mendohet problemin Ekonomik se qytetarët dëshirojnë që të kenë Ekonomi sa më të fuqishme dhe të kemi zhvillimin e vendit në aspektin ekonomik.

 

RADIO VALA: z. Bejta, a mendoni se pas zgjedhjes së Kryetarit të parë Shqiptar në Kuvendin e Maqedonisë, u thye akulli dhe realizimi i të drejtave të shqiptarëve nuk do të has në pengesa, sidomos zyrtarizimi i Gjuhës Shqipe?
Nevzat Bejta: Ato gjëra janë kapërcyer, shqiptarët në Maqedoni do jetojnë të barabartë me pjesëtarët e komunitetit maqedonas. Kriza që u shkaktua u bë përshkak të disa individëve të cilët kanë qenë gjatë kohë në qeverisje dhe nuk dëshirojnë të përgjigjen përpara organeve të drejtësisë. Ajo është tejkaluar dhe më në Maqedoni nuk do të shikohet se a është shqiptar a është maqedonas. Ai i cili është më i aftë, ai do vine në vendin udhëheqës. Nëse nga radhët e shoqërisë shqiptare del një që është i përgatitur, mund të bëhet edhe Kryeministër dhe President i vendit dhe jo vetëm Kryetar i Parlamentit. Tani u dëshmuar që z. Talati që u zgjodh Kryetar i Kuvendit të Maqedonisë, ka aftësi për ta menaxhuar dhe për ta udhëhequr Kuvendin. z. Xhaferi ka një përparësi se prej kolegëve edhe të komunitetit maqedonas i njeh të dy gjuhët, e dinë gjuhën shqipe dhe gjuhën maqedonase, kurse e kundërta maqedonasit nuk kanë kuadro të përgatitur tash për tash që i dinë të dy gjuhët e të dy nacionaliteteve më të mëdha në Republikën e Maqedonisë. Vetëm të barabartë shoqëria në Maqedoni do shkon përpara.

 

RADIO VALA: A do të ndikoje Qeveria e re në parandalimin e largimeve të shumta të rinisë, të cilët nuk shohin perspektivë në vend?

Nevzat Bejta: Të rinjtë kërkojnë kushte më të mira dhe Ne duhet të punojmë që t’ju krijojmë kushte ashtu siç Ju kanë krijuar të rinjve kushte të mira shtet e Unionit Evropian dhe Zvicra. Nëse, Ne do Ju krijojmë kushte të mira rinistëve tanë, atëherë edhe të rinjtë që kanë ikur do kthehen në vendlindje, ashtu ka ndodhur me Shqipërinë në vitin 91. Shumë veta kanë ikur dhe pasi u krijuan kushte të mira dhe kapital, ata u kthyen nëpër vendet e veta me kapital dhe dhanë kontribut për ngritjen e Ekonomisë. Ne kemi shumë të rinj të cilët rininë e kanë kaluar në Zvicër dhe vendet e Unionit Evropian dhe nëse Ne iu krijojmë kushte siç Ju ka krijuar Zvicra, ata kapitalin e tyre material dhe financiar që e kanë krijuar do ta kthejnë dhe do ta investojnë në vendlindjen e vet. Por, për ti kthyer ata duhet të krijojmë kushte. Nga ana tjetër, rinistët duhet edhe të sakrifikojnë për vendlindjen e vet, për shkak se ka punë për të bërë dhe duhet të angazhohen. Ajo që më brengos, njerëzit tanë pasi që krijojnë kushte të mira në Zvicër dhe vendet tjera të Unionit Evropian, prandaj shfrytëzoj rastin që gjithë ata që kanë krijuar kapital dhe janë të përgatitur në profesionet e ndryshme, të kthehen dhe ta bartin në vendlindje, në qytetin e Gostivarit dhe qytetet tjera, për shkak se ka punë. Shumë biznesmen që janë kthyer nga vende të ndryshme kanë hapur bizneset e tyre dhe kanë arritur sukses.

 

RADIO VALA: z. Bejta, Ju faleminderit për kohën që e ndatë.

Nevzat Bejta: Ju faleminderit Juve.

11,864 total views, 2 views today

About Kasam Selimi

Kasam Selimi është Gazetar Profesionit, i Diplomuar në Universitetin e Tetovës në Degën e Gazetarisë dhe në Institutin e Mediave të Maqedonisë. Është Anëtar i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë SHGM. Gjithashtu është edhe Anëtar i Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve (IFJ). Është i Regjistruar edhe i pranuar si përfaqësues sportiv nga Federata Evropiane e Futbollit UEFA, (F.A.ME) platform. Kasam Selimi është Ideator dhe Themelues i Dritares së parë Informative në gjuhën Shqipe në Gostivar RADIO VALA. Për herë të parë me gazetari ka filluar të merret në vitin 2005 si praktikant në Radio Gostivar, ndërsa nga viti 2007 aktivisht punon si Gazetar.

Check Also

Forinasit e BDI-së autorizojnë Avokatin Ujkan Idrizi për Kandidat për Këshilltar në Komunën e Gostivarit

Forinë, me 23 Shtator 2017 Forina është një nga vendbanimet që ka njerëzit më punëtor …

Lini një Përgjigje