FC Kosova Düsseldorf fituese dhe përfaqëson diasporën në kupën Kosovë – Diasporë

FC Kosova Düsseldorf fituese dhe përfaqëson diasporën në kupën Kosovë – Diasporë

Të shtunën që shkoi, më 18 shtator 2021, në Düsseldorf u zhvillua ndeshja finale e ekipeve shqiptare në Gjermani për Kupën e Kosovës në Gjermani. Në këtë finale u takuan FC Kosova Düsseldorf dhe FC Kastrioti Stuknebrock. Në një ndeshje mjaft të bukur, cilësore e dramatike fitorja i takoi ekipit vendës me rezultat të ngushtë 2:1 (0:1). Golat I shënuan: Getarb Sali në minutën 23 për Kastriotin dhe Naser Ilazi në minutën 71 e Ermis Llojko në atë 77 për Kosovën nga Düsseldorfi.

Në këtë manifestim ku ishte i pranishëm edhe Arjan Kashtanjeva, konsull i përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Düsseldorf, para fillimit të ndeshjes u zhvillua një ceremoni përkujtimore për ish-futbollistin e ish-trajnerin e FC Kosova Düsseldorf, Nadir Haxhimusën dhe aktivistin e madh të aktiviteteve shqiptare në Düsseldorf, Hamdi Gashin, që këto ditë u ndanë nga jeta. Për ta folën Bujar Neziri, kryetar i FC Kosova Düsseldorf dhe Arjan Kashtanjeva, konsull i përgjithshëm i Republikës së Kosovës në Düsseldorf.

Pas disa viteve të garës së suksesshme për Kupën e Kosovës në Gjermani, sikurse vitin e kaluar edhe sivjet Kryesia e FFSHGJ-së u ballafaque me disa probleme, në radhë të parë të organizimit të garës në kohë pandemie, dhe është organizata e vetme shqiptare në diasporë që këtë garë e organizon pa ndërpreje edhe në këto dy vite kur e gjithë bota po përballet me virusin Corona 19.

Për shkak të kësaj gjendje dhe kohës shumë të shkurtër që u dasht të mbahet kjo garë u paraqitën vetëm 6 ekipe. Pas 3 ndeshjeve çerkfinale dhe një ndeshjeje gjysëmfinale në finalën e kësaj gare u kualifikuan FC Kosova Düsseldorf dhe FC Kastrioti Stukenbrock.
Para një numri shumë të madh të shikueesve dy ekipet e sivjeme finaliste treguan futboll të një niveli të lartë e ndoshta të nivelit më të lartë se sa që tregojnë në gara zyrtare në ligat gjermane, pasi që të dy klubet garojnë në të njëjtën kategori – Kreisliga A.

Fillimi i ndeshjes i takoi skuadrës mysafire nga Stukenbrocku e cila edhe shfrytëzoi iniciativën e lehtë në terren duke shënuar golin e vetëm, në minutën 23 përmes Getarb Sali dhe duke mbyllë pjesën e parë në dobi të saj.

Në pjesën e dytë ekipi vendës ishte me këmbëngulës në aksione për të barazuar rezultatin dhe eventualisht edhe të fitojë ndeshjen. Këtë gjë edhe e realizuan duke shënuar dy gola përmes Naser Ilazit në minutën e 71-të dhe Ermir Llojko gjashtë minuta më vonë të shënojë edhe golin e epërsisë prej 2:1, rezultat i cili u ruajt deri në fund të takimit.

Pas mbylljes së ndeshjes orgnizatori, Federata e Futbollit Shqiptar në Gjermani ndau mirënjohjet, medaljet dhe kupën kaluese. Ato u ndanë nga Arjan Kashtanjeva, konusll i përgjithshëm në Düsseldorf, Ruzhdi Statovci, kryetar, Enver Muzliukaj, nënkryetar, Miftar Dragidella, sekretar dhe Afrim Osmanaj, Mustafë Bellaina, Bujar Haxhimusa e Kushtrim Hajrizi, anëtarë të Kryesisë si dhe Bujar Neziri, kryetar i FC Kosova Düsseldorf.

Ekipi fitues i kësaj gare, FC Kosova Düsseldorf, gjatë muajit tetor të këtij viti duhet të zhvillojë ndeshjen për Supërkupën Kosovë – Diasporë, kundër ekipit fitues të Kupës së Kosovës e që sivjet eshtë KF Llapi nga Podujeva.

Garën për Kupën e Kosovës në Gjermani sivjet edhe materialisht e ndihmoi Federata e Futbollet e Kosovës, për çka ajo dhe presidenti Agim Ademi u falënderuan nga Ruzhdi Statovci, kryetar i Federatës së Futbollit Shqiptar në Gjermani.

Pas mbarimit të këtij manifestimi shumë të suksesshëm sportiv, klubi vendës FC Kosova Düsseldorf shtroi darkë për të dy klubet e sponzorët e tyre, Kryesinë e FFSHGJ-së dhe mysafirët tjerë, ndërkaq Arjan Kashtanjeva, konusll i përgjithshëm në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Düsseldorf, priti në një vizitë shumë miqësore delegacionin e Federatës së Futbollit Shqiptar në Gjermani të prirë nga Ruzhdi Statovci, kryetar.

Delegacioni gjatë qëndrimit vizitoi gjithë objektin e kësaj konsullate, duke u befasuar me një rregullim dhe përshtatje shumë të qëlluar për kryerjen e shërbimeve për qytetarët tanë.

Rezultatet:
Çerekfinalet
FC Kosova Düsseldorf – FC Kosova Frankfurt 2:0
FC Kastrioti Stukenbrock – SC Drita Kosova Kornwestheim 2:0
FC Besa Gießen – KF 2 Korriku Sundern 2:0
Gjysëmfinalet
FC Kastrioti Stukenbrock – FC FC Besa Gießen 2:0
FC Kosova Düsseldorf e lirë
Finalja
FC Kosova Düsseldorf – FC Kastrioti Stukenrbock 2:1

Burimi: Federata e Futbollit Shqiptar në Gjermani

administrator

Lini një Përgjigje