Forumi i Gruas së BDI-së në Çair mbajti Kuvendin e II-të zgjedhor, stomatologia Amella Canaku zgjidhet kryetare

Shkup, 1 mars 2016 – Në prani të shumë anëtareve të saj, dje Forumi i Gruas së BDI-së në Çair, mbajti Kuvendin e II-të zgjedhor, ku për kryetare të saj zgjodhi Dr. Amella Canën, stomatologe nga Çairi.

Në Kuvend, ku u zgjodhën edhe nënkryetarja, sekretarja dhe kryesia e këtij Forumi, pjesëmarrës ishin kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, shefi i Shtabit Qendror Zgjedhor Bekim Neziri, deputetja Ermira Mehmeti dhe anëtaret e këtij forumi.

Gjatë paraqitjes së saj zonja Cana, falenderoi të pranishmit për besimin e dhënë, si dhe ish kryetares së Forumit i uroi suksese të mëtejme në veprimtarinë e saj. Deputetja e zonës Ermira Mehmeti, tha se lufta e gruas për artikulim politik nuk përfundon kurrë.

“Dikur në kohërat antike kur bëhej politikë, bota ndahej në njerëz dhe gra. Lufta e gruas për artikulim politik nuk mund të quhet e përfunduar, por duhet të jemi krenare dhe optimiste kur shikojmë bilansin se ku ka qenë dhe ku është sot femra. Ne duhet të jemi krenare sepse në rajonin e Ballkanit për herë të parë kishim Presidente femër nga Kosova. Ne duhet të jemi krenare për rajonin e Ballkanit, sepse në Shqipëri kishim një grua për kryetare të Kuvendit. Sot është Angela Merkel femra më e fuqishme në botë dhe ajo është modeli që duhet të ndjekim. Sot më gezon fakti që shoh shumë femra të ndryshme, nga krahina te ndryshme dhe ky është modeli i BDI-së. Ne guxojmë dhe kemi bërë levizje, ne kemi vendosur standard në kuptimin e organizimit politik në Maqedoni”, tha deputetja Ermira Mehmeti para anëtareve të Forumit të Gruas në Çair.

Nënkryetari i BDI-së dhe kryetar i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, tha se gratë në BDI kanë pozitë të barabartë me burrat dhe kjo është një nga vlerat e partisë.

“Dua të falenderoj Forumin e Gruas në krye me zonjën Topalli për bashkëpunimin e deritanishëm dhe uroj që ky Kuvend të fuqizoj edhe më shumë forumin. Meqë jemi në fushatë zgjedhore mendoj se BDI në Çair ka arritur një maksimum të votave dhe kjo për meritë të grave, ndërsa kontributi është tek Forumi i Gruas sepse ka mjaft hapësirë për të përvetësuar burrat sepse gratë me numër janë 50 % e votave dhe duke marrë parasysh ndikimin e tyre mbi burrat fitorja është e pashmangshme. Dega e Forumit të Gruas në Çair, nuk i ka shërbyer vetëm Çairit por i ka shërbyer edhe aktiviteteve të degëve tjera edhe në nivel republikan.

Nga ky Kuvend të jepet një porosi se ky forum e ka derën e hapur për të gjithë aktivistet e reja dhe kur konsolidohet përvoja me fytyrat e reja atëherë fitorja është edhe më e madhe”, tha Mexhiti.

Shefi i Shtabit Qendror Zgjedhor dhe ministër i Ekonomisë Bekim Neziri, uroi Forumin e Gruas dhe ish kryetaren Hatixhe Topalli, për punën e palodhshme dhe organizimin disa vjeçar të Forumit të Gruas në Çair.

“BDI në këto zgjedhje gjendet në një sfidë të madhe dhe duke patur parasysh se ne të Çairit në vitin 2002 filluam me 8100 vota në zgjedhje, duke vazhduar vit pas viti me më shumë vota dhe më shumë anëtarë dhe duke përfunduar në vitin 2014-të me 15.000 vota. Nga analizat që kemi bërë si Shtab Qendror Zgjedhor, kemi informacione se nga 45 deri në 50 % të këtyre votave janë nga gratë që votojnë për zgjedhje. Andaj unë konsideroj se si BDI për ta sfiduar numrin prej 153.000 vota, nevojitet që Forumi i Gruas të funksionojë me të gjitha kapacitetet dhe të bëjë rezultat edhe më të madh, sepse ky forum ka qenë dhe ngelet lokomotivë për fitoret e BDI-së”, tha Neziri.

Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti tha se rëndësia e gruas në BDI është theksuar që në krijimin e partisë, duke emëruar gruan e parë shqiptare deputete.

“Femra shqiptare është nëna shqiptare dhe motivi amnor është motivi më i madh i të gjitha kohërave. Unë pa përkrahje të bashkëpuntorëve nuk do arrija që të shijoja frytet e idealit tim që motrat dhe nënat të jenë krah për krah vëllezërve. Ne bëmë deputetet e para shqiptare, kryetare komune shqiptare. Kjo ndjenjë, ky mësim dhe përkushtim në çdo mbledhje pune të kryesisë qendrore ka pasur qasje.

Vota jonë ka vendosur që femrat të jenë 30 % në Parlament, ndërsa tash në dhjetëshen e parë duhet të ketë katër kandidate femra. Ne jemi këtu për të avancuar femrat përpara. Gjithçka e mirë fillon tek familja, kur ne kemi një nënë të mirë, të edukuar do me thënë kemi një komb të shëndoshë. Të gjithë bashkë arijmë tek qëllimi, tek misioni. Puna që ne angazhohemi është një qëllim i përbashkët. Ne duhet ti gëzohemi të arriturat si dhe duhet të zgjedhim njerëz që kanë për qëllim avancimin e shoqerisë për të ecur përpara. Aty fillon gjithçka, tek nëna. Ne kemi hyrë në fushatë, ne jemi një levizje goxha e organizuar, se rrallë parti ose hiç parti nuk kanë mundësi të organizojnë zgjedhje në Forumet e Gruas dhe Forumin Rinor paralelisht me të gjitha aktivitetet. Mirë u takofshim në takimet e rradhës. Zoti u ndimoftë”, përfundoi fjalimin e tij Ahmeti./Radio Vala

About Kasam Selimi

Check Also

Mickoski: Një ditë pas ditëlindjes sime, më 30 shtator do ta shihni vendimin tim për referendumin

E shfrytëzoj këtë rast t’u drejtohem personalisht qytetarëve të Republikës së Maqedonisë, ndërkaq e njëjta …

Lini një Përgjigje

Këtë e pëlqejnë %d blogues: