Breaking News
Home / Arsim / Filloi me punë Universiteti “Nënë Tereza”

Filloi me punë Universiteti “Nënë Tereza”

Shkup, 27 tetor 2016
Në hapësirat e Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë sot filloi me punë Universiteti i ri i gjashtë shtetëror në vend “Nënë Terezë”. I përbërë prej pesë fakulteteve – për shkenca teknike, për ndërtimtari dhe arkitekturë, për shkenca teknologjike, për shkenca informatike dhe sociale, me gjithsej 14 programe studimore.
Rektori Aziz Pollozhani në orën e parë akademike theksoi se Universiteti “Nënë Terezë” do të fokusohet në nevojat e tregut të punës dhe në kohezionin e brendshëm social të cilat, ashtu siç tha, janë parakusht për hapa të suksesshëm drejt integrimit gjithëpërfshirës.
“Edhe pse për shkak të arsyeve procedurale dhe të tjera u anulua fillimi i vitit mësimor, të paraqiturit për këtë vit janë në nivel të pritjeve tona, me atë do të organizohet mësimi i nëntë programeve studimore prej gjithsej 14 programeve të akredituara. me mënyrën e tillë të studimit, duke i shmangur programet masive dhe studimore të imponuara në mënyrë konjukturale, ne do të sigurojmë studime cilësore dhe përgatitje të kuadrit për kontekstin e ri teknologjik”, tha Pollozhani, i cili më parë ishte ministër i Arsimit dhe Shkencës.
Ministri Pishtar Lutfiu tha se dituria, fuqia intelektuale, profesionaliteti dhe cilësia janë funksione, të cilat, ashtu siç shtoi, i kërkon bota e sotme moderne.
“Shkenca është pasaportë universale e cila i bashkon mendimet e mëdha dhe për atë hapja e këtij universiteti sot kërkon guxim, vullnet të mirë, mendje të mëdha dhe, para së gjithash, punë të mundimshme. Për atë mund të konsiderohet si pikë fillestare nga qëllimi ynë kryesor – e drejta njerëzore e barazisë dhe të bëhet pjesë e familjes së madhe evropiane edhe nga bota moderne. Fakultetet të cilat fillojnë të punojnë sot janë themeluar me drejtime mirë të analizuara, sipas kërkesës së tregut të punës. Të rinjve u ofrohen mundësi të cilat janë në pajtim me kërkesat e kohës dhe botës”, tha Lutfiu duke u dëshiruar sukses gjeneratës së parë të studentëve “Nënë Terezë” dhe kuadrit të angazhuar.
Ministri dhe rektori në fjalimet e tyre nuk kumtuan numër të studentëve të regjistruar në universitetin e ri. Lutfiu para një muaji tha se Konkursi ka parashikuar 1.220 vende për regjistrim në vitin e parë për të gjitha pesë fakultetet dhe se deri atëherë në aplikimin elektronik janë paraqitur 80 kandidatë për studime në universitetin e ri. Në konkursin e parë për kuadër arsimor, ndërkaq, kanë aplikuar 170 persona, ndërsa janë zgjedhur 45 të cilët i kanë plotësuar kushtet.
Për universitetin e ri nga buxheti janë siguruar 80 milionë denarë. Vendimi për hapjen e universitetit ishte marrë në dhjetor të vitit të kaluar kur ishte paralajmëruar se mësimi do të zhvillohet në tri gjuhë – shqip, maqedonisht, anglisht.
Mësimi do të mbahet në ndërtesën e LSM-së dhe në hapësirat e Universitetit të Evropës Juglindore në Shkup, derisa nuk ndërtohet objekt vetanak i universitetit. Fillimi i ndërtimit planifikohet për vitin 2017 në vendin e kazermës “Ilinden”. /Radio Vala

922 total views, 1 views today

About RV2

Check Also

(Video) Karateistet Alma Pollozhani, Drenusha dhe Diellza Sejdijaj në emisionin Sporti Shqiptar në Zvicër

Grenchen, me 27 Janar 2020 Për herë të parë në emisionin javor Sporti Shqiptar në …

Lini një Përgjigje

Këtë e pëlqejnë %d blogues: