Rektori i USHT-së shpalosi agjendën për 21-vjetorin e themelimit të Universitetit

Tetovë, 12 dhjetor 2015 – Rektori i Universitetit Shtetëror të Tetovës, Vullnet Ameti, i shoqëruar edhe nga senatorët, sot në një konferencë për shtyp shpalosi agjendën e aktiviteteve që do të zhvillohen me rastin e  shënimit të 21-vjetorit të themelimit të Universitetit. 

Ai tha se, Rektorati dhe të gjitha njësitë akademike të USHT-së, për nder të 21-vjetorit do të organizojnë një sërë aktivitetesh, si gara në sporte të ndryshme, promovime librash të botuara nga USHT-ja, ekspozita artistike, si dhe do të shpalosin arritjet që ka shënuar universiteti gjatë vitit që lëmë pas.

“Së pari, Ju falënderoj për kontributin dhe gatishmërinë Tuaj për ta ndjekur agjendën e ngjeshur të aktiviteteve, të cilat janë zhvilluar dhe vijojnë të zhvillohen në Universitetin Shtetëror të Tetovës. Universiteti ynë, këtë muaj e shënon përvjetorin e themelimit të tij, dhe me këtë rast, Rektorati dhe të gjitha njësitë akademike të universitetit do të organizojmë një sërë aktivitetesh për ta shënuar 21 vjetorin e themelimit dhe njëherit t’i shpalosim arritjet tona në veprimtarinë arsimore, shkencore, artistike dhe veprimtarinë e përgjithshme të Universitetit tonë. Përmes kësaj konference për media, kemi kënaqësinë ta njoftojmë opinionin e gjerë për agjendën e aktiviteteve që kemi paraparë t’i organizojmë në këtë përvjetor, edhe atë: Më 14 dhjetor, do të hapim siparin e aktiviteteve sportive, të organizuar nga Fakulteti i Kulturës Fizike. Më 15 dhjetor, do t’i përurojmë  botimet e Universitetit, si: librat, revistat shkencore të fakulteteve, publikimet e Seminarit Ndërkombëtar të Albanologjisë, revistën shkencore ,,Albanologjia” të Fakultetit Filologjik, Gazetën Universitare, librat e autorëve të ndryshëm që i ka financuar USHT, etj. Më 16 dhjetor, do të përfundojmë me aktivitetet sportive të Fakultetit të Kulturës Fizike, kur edhe do t’i shpallim fituesit në disiplina të ndryshme: futboll, volejboll, basketboll, tenis, etj. Po të njëjtën ditë, më 16 dhjetor, në Rektoratin e Universitetit do ta hapim ekspozitën artistike, në të cilën veprat e tyre do t’i prezantojnë profesorët e Fakultetit të Arteve”, tha Ameti.

Po ashtu, Rektori i USHT-së, shtoi se më 17 Dhjetor do të bëhen homazhe te busti i Dëshmorit të Arsimit Shqip, Abdilselam Emini dhe te varri i themeluesit dhe  Rektorit të parë të UT-së, Fadil Sulejmani, ndërsa agjenda e aktiviteteve do të përmbyllet po më 17 Dhjetor, në mbrëmje, me organizimin e Akademisë solemne, ku janë ftuar të marrin pjesë shumë personalitete të jetës publike.

“Më 17 dhjetor, agjendën e aktiviteteve tona do ta vijojmë me homazhe te busti i Dëshmorit të Arsimit Shqip, Abdylselam Emini dhe homazhe te varri i themeluesit dhe Rektorit të parë të UT-së, Prof. dr. Fadil Sulejmani. Aktivitetin kryesor të 21 vjetorit të themelimit të Universitetit do ta përmbyllim me organizimin e Akademisë solemne, e cila do të mbahet më 17 dhjetor, në orën 19:00, në të cilën i kemi ftuar të marrin pjesë, rektorët e universiteteve publike dhe private nga vendi, rajoni dhe universitetet ndërkombëtare, ambasadorët e vendeve të tjera në vendin tonë; ministrat, deputetët, përfaqësuesit e pushtetit qendror dhe lokal, kryetarët e partive politike shqiptare në Maqedoni dhe personalitete të tjera”, theksoi mes tjerash rektori i USHT-së.

Ai, më tej theksoi se, po ashtu në akademinë solemne USHT-ja do t’u ndajë titullin Doktor nderi i shkencave, Prof. dr. Omer Xhemailit dhe diplomatit amerikan, Xhems Perdju.

“Do të doja t’Ju njoftoj se, në këtë përvjetor, duke u bazuar në sukseset e tij në fushën e shkencave mjekësore, kontributin e çmuar në avancimin e këtyre shkencave në trevat tona dhe afirmimin e universitetit tonë në arenën ndërkombëtare, Universiteti Shtetëror i Tetovës do t’ia ndajë titullin Doktor nderi i shkencave (Doctor Honoris Causa), Prof. dr. Omer Xhemailit. Po ashtu, për kontributin e çmuar dhe rolin e tij në parandalimin e konfliktit dhe arritjen e paqes në Republikën e Kosovës dhe Republikën e Maqedonisë, si dhe avancimin e çështjes shqiptare në përgjithësi, diplomatin e shquar amerikan, z. Xhems Perdju, do ta shpallim Doktor nderi i shkencave (Doctor Honoris Causa) i Universitetit Shtetëror të Tetovës”, shtoi më tej rektori Ameti.

Në shënimin e 21-vjetorit të USHT-së janë ftuar një numër i konsiderueshëm personalitetesh të arsimit, shkencës, kulturës, ambasadorë, liderë të partive politike, drejtues institucionesh, në nivel qendror dhe lokal, si dhe shumë mysafirë të tjerë nga vendi dhe rajoni. /Radio Vala

About Kasam Selimi

Check Also

Në Gostivar u mbajt manifestimi tradicional tradicional dedikuar festës së 7 Marsit

    Gostivar, me 8 Mars – 2017   Me intonimin e himnit kombëtar nga …

Lini një Përgjigje

Këtë e pëlqejnë %d blogues: