Shqyrtohet realizimi i projekteve preventive në shkollat publike të Gostivarit

Gostivar, me 25 Mars – 2016

Sektori për Preventivë në suaza të Sektorit të Punëve të Brendshme në Tetovë në mjediset e Këshillit Rinor realizoi takim me drejtuesit e Sektorit për Arsim, Kulturë dhe Sport në Komunën e Gostivarit, si dhe drejtorët e katër shkollave të mesme publike të qytetit.
Qëllimi i takimit ishte shqyrtimi i projekteve që realizohen nëpër shkolla në bashkëpunimin mes këtyre institucioneve.

Të pranishmit fillimisht i përshëndeti koordinatori i Sektorit për Arsim, Kulturë dhe Sport në Komunën e Gostivarit, Edit Azizi, i cili fillimisht falënderoi drejtuesit e institucioneve respektive për bashkëpunimin korrekt dhe të suksesshëm në realizimin e këtyre projekteve me karakter preventiv dhe që luajnë rol të rëndësishëm në vetëdijesimin e nxënësve kundrejt dukurive negative.

Raport për projektin e parë të realizuar në shkollat fillore të Gostivarit, respektivisht me nxënësit e klasave të nënta, dha komandanti i Stacionit Policor, Gazi Abduraimi, i cili theksoi që projekti u përmbyll me sukses të lartë, duke përfshirë 14 shkolla qendrore dhe periferike.

“Projekti me karakter preventiv parashihte ligjërata dhe broshura në gjuhën amtare kundër konsumimit të alkoolit, drogave dhe substancave të ndryshme narkotike që kanë ndikim negativ në shëndetin e njeriut”, tha komandanti Abduraimi.

Ligjëratat zgjatën një orë mësimore dhe përfaqësues të aftësuar dhe përgatitur paraprakisht nga Sektori për Preventivë në suaza të Sektorit të Punëve të Brendshme në Tetovë, njoftuan nxënësit në gjuhën e tyre amtare me rreziqet që sjellin konsumimi i lëndëve të tilla narkotike dhe alkooli.

Projekti i dytë ndërlidhet me Lojërat e Fatit. Policia e koordinuar me Institucionet kompetente do të vëzhgon nga afër objektet që merren me organizimin e lojërave të fatit, përfshi çështjen e funksionimit të tyre në bazë të ligjeve, si dhe praninë eventuale të personave të mitur nën moshën 18 vjeçare.

Nëse do të hasen persona nën moshën 18 vjeçe duke luajtur lojëra fati, në bashkëpunim me organet kompetente do të merren masa ndaj pronarëve të subjekteve juridike. Sipas ligjit, masa do të merren edhe për prindërit e fëmijëve që do të hasen në objekte të tilla.

Ndërkohë, në takim u diskutuan edhe disa masa të nevojshme për sigurinë sa më të madhe të mjediseve shkollore.
Nga ana e organeve të rendit u bë me dije shtimi i kontrolleve ndaj transportuesve publik që merren me transportin e nxënësve, me qëllim që drejtuesit e tyre të respektojnë rregullat e parapara ligjore sa i përket numrit të nxënësve që mund të transportohen, dhe që të mos tejkalohet numri i tyre.

Në këtë drejtim, si masë preventive u propozua edhe intensifikimi i kontrolleve të automjeteve që drejtohet nga ana e nxënësve dhe të cilët nuk disponojnë leje për vozitje. Në këtë drejtim u propozua përforcim i ekipeve policore që të evitohen problemet e mundshme dhe kaosi në komunikacion përreth objekteve shkollore.
Një ide tjetër që lindi gjatë takimit ishte edhe kontrollimi i domosdoshëm i objekteve hoteliere rreth shkollave dhe vazhdimisht të bëhet matja e volumit të zërit të muzikës, me qëllim që të mos bëhet pengesë e zhvillimit të procesit mësimor në mjediset shkollore.

Nga ana e drejtorëve, po ashtu u propozua shtimi i masave për parkimin e automjeteve afër shkollave, që automjetet të mos parkohen vend e pavend.

U propozua që të realizohen ligjërata me nxënësit për rregullat e komunikacionit, ndërkaq si mundësi e hapur mbeti edhe kontrollimi i çantave të nxënësve gjatë hyrjes në shkolla me qëllim që të evitohet bartja e mjeteve të ndryshme të palejuara siç janë armët dhe lëndët narkotike brenda objekteve shkollore. Në këtë drejtim u tha nevoja për kontrolle të herëpashershme edhe të transportuesve publik që merren me bartjen e nxënësve në shkolla dhe anasjelltas në shtëpi.

/Radio Vala

25_03_2016_projekti_preventiv_gostivar (1) 25_03_2016_projekti_preventiv_gostivar (2) 25_03_2016_projekti_preventiv_gostivar (3) 25_03_2016_projekti_preventiv_gostivar (4) 25_03_2016_projekti_preventiv_gostivar (5)

About Kasam Selimi

Check Also

(Video) AMG GT4 63s modeli i ri

Te kjo video do të shohim një super makinë, një bishë e vërtetë, pra flasim …

Lini një Përgjigje

Këtë e pëlqejnë %d blogues: