Nënshkruhet marrëveshje për financimin e dokumentacionit teknik për projekte në Vrapçisht

Vrapçisht, 31 mars 2016
Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor Nurhan Izairi dhe kryetari i komunës së Vrapçishtit, Bajram Kadria sot nënshkruajtën marrëveshje për financim të përpilimit të dokumentacionit teknik për projekte në komunën e Vrapçishtit. Me marrëveshjen në periudhën në vijim duhet të përpilohet dokumentacioni tektik me revizion për sistemin e kanalizimit në gjashtë fshatra të cilat nuk e kanë zgjidhur këtë çështje.
Mjetet në vlerë prej tre milionë denarësh janë siguruar me Programin për investime për mjedisin jetësor të Ministrisë për vitin 2016.
“Për ne është shumë e rëndësishme të zgjidhen çështjet e hapura dhe t’i plotësojmë nevojat e qytetarëve, veçanërisht në pjesën e ruajtjes së mjedisit jetësor dhe përmirësimit të cilësisë së jetesës si në këtë pjesë, ashtu edhe në tërë territorin e shtetit. Me dokumentacionin teknik të përpiluar, komuna në të ardhmen do të mund të aplikojë dhe të kërkojë përkrahje financiare për realizimin e tyre”, deklaroi ministri Nurhan Izairi, pas nënshkrimit të marrëveshjes në ndërtesën e komunës së Vrapçishtit.
Kryetari i komunës Kadria shprehu falënderim për bashkëpunimin e deritanishëm dhe përkrahjen që komuna e Vrapçishtit e fitoi me marrëveshjen e nënshkruar dhe ashtu siç nënvizoi, ajo do të kontribuojë për zgjidhje më të shpejtë të kërkesave të cilat qytetarët i kanë dorëzuar deri te pushteti lokal.
“Ky është hap i rëndësishëm në përpjekjet tona ta përmirësojmë jetën e bashkëqytetarëve tanë, por edhe kujdesin për shëndetin dhe për natyrën. Kjo do të jetë e rëndësishme për fshatrat më të mëdhenj siç janë Vrapçishti, Dobridolli, Senokose, Toplica, Negotinë-Pollog dhe Gradec, sepse atje ky problem kohë të gjatë është aktual. Bëhet fjalë për rrjetin e kanalizimit gjatësia e të cilës është rreth 50 kilometra”, tha kryetari i komunës Kadria.
Paraprakisht, me përkrahjen e Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor në komunën e Vrapçishtit ishin përpiluar dokumentacione teknike për sistemet e kanalizimit në fshatrat Zubovcë, Dobridoll dhe Vrapçisht.
Ministri Izairi paralajmëroi se këtë vit pritet të përfundojë ndërtimi i stacioneve të filtrimit për ujësjellësin në fshatin Vrapçisht./Radio Vala31_03_2016_Kadrija_Izairi

About RV2

Check Also

(Video) AMG GT4 63s modeli i ri

Te kjo video do të shohim një super makinë, një bishë e vërtetë, pra flasim …

Lini një Përgjigje

Këtë e pëlqejnë %d blogues: