Në mesnatë hynë në fuqi vendimi për shpërbërje të Parlamentit

Shkup, 23 shkurt 2016 – Kuvendi i Republikës së Maqedonisë, sipas vendimit që e sollën deputetët më 18 janar, sonte në mesnatë duhet të shpërbëhet me qëllim të mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 24 prill, sipas marrëveshjes së Përzhinos.

Tani për tani nuk ka iniciativë formale deri te Kuvendi për ndryshimin e vendimit  për vetëshpërbërje. Deri mbrëmë asnjë grup i deputetëve nuk kishte parashtruar kërkesë për ndërrim të vendimit.

BE-ja dhe SHBA-ja të dielën përmes kumtesës së përbashkët e nxorën vlerësimin e tyre se edhe pse përparim i caktuar është arritur, kushtet e domosdoshme  për organizimin e zgjedhjeve të besueshme  më 24 prill, për momentin nuk janë plotësuar. Ambasadori amerikan Xhes Bejli deklaroi, se megjithatë, vendimi për datën e mbajtjes së zgjedhjeve është i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë.

VMRO-DPMNE- ja dje u shpreh se nuk është e saktë se nuk ka kushte për mbajtje të zgjedhjeve të drejta dhe demokratike në vend, se nuk ekziston gatishmëri te LSDM-ja që të dalë në zgjedhje, sepse është e vetëdijshme se do t’i humb, por edhe se për shkak të asaj frike të partisë opozitare do të prolongohet kriza në vend. Anëtari i KZ-së së VMRO-DPMNE dhe ministër i Shëndetësisë, Nikolla Todorov mbrëmë në intervistë për televizionin “Sitel” tha se deri në atë moment vendimi i Komitetit ekzekutiv dhe qendror të VMRO-DPMNE-së është që zgjedhjet të mbahen më 24 prill.

Lideri i LSDM-së Zoran Zaev, megjithatë, mbrëmë e përsëriti qëndrimin se nuk duhet të ketë zgjedhje më 24 prill, sepse nuk ka kushte. Sipas partisë opozitare, paraprakisht nevojitet pastrimi i listës zgjedhore dhe reformave në mediumet.

BDI dhe PDSH dje nuk dolën me qëndrim të tyre lidhur me këtë situatë, edhe pse paraprakisht në takimin e partisë në Gostivar, lideri i BDI-së Ali Ahmeti u prononcua se pa marrë parasysh nëse do të ketë zgjedhje më 24 prill apo pastaj, ato do të mbeten partnerë me të gjitha forcat progresive si në vend, ashtu edhe me të huajat.

Ahmeti pas takimit me ambasadorin amerikan Bejli të dielën, deklaroi se BDI-ja është në linjën e njëjtë dhe në komunikim me bashkësinë ndërkombëtare, dhe vlerëson se takimet duhet të vazhdojnë dhe të arrihet kompromis dhe pajtim mes të gjitha palëve, që të mos lejohet marrëveshja të dështojë, sepse kjo do të thotë fillim dhe thellim i krizës politike në Maqedoni.

“Maqedonia nuk ka nevojë për krizë politike, por përfundim të krizës aktuale, dhe për këtë apelojmë deri te të gjitha partitë të gjejmë zgjidhje të përbashkët”, tha lideri i BDI-së.

Pritet deri në fund të ditës të bëhet e qartë nëse do të ketë ndryshim të datës së zgjedhjeve. Ambasadori i SHBA-së Bejli mbrëmë në një intervistë televizive deklaroi se tani elementi kyç është të vendoset nëse zgjedhjet do të mbahen më 24 prill ose të mendohet për datë të re.

“Ne qartë e treguam qëndrimin tonë, por vendimin për këtë duhet ta sjellin liderët partiak”, tha ambasadori.

Euroambasadori Aivo Orav, megjithatë, në një porosi në Tuiter mbrëmë shkroi se ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së kanë biseduar për situatën në Maqedoni dhe se sot në vend do të arrijnë eurodeputetët Ivo Vajgëll, Riçard Hovit dhe Edvard Kukan dhe se kjo është mundësi a e fundit për liderët partiak të gjejnë zgjidhje.

Ndryshe, mbrëmë vonë pasdite me kumtesë u prononcua edhe Komisioni Shtetëror Zgjedhor, duke i përmendur aktivitetet të cilat i ndërmerr lidhur me pastrimin e Listës Zgjedhore./Radio Vala 

About Kasam Selimi

Check Also

Mickoski: Një ditë pas ditëlindjes sime, më 30 shtator do ta shihni vendimin tim për referendumin

E shfrytëzoj këtë rast t’u drejtohem personalisht qytetarëve të Republikës së Maqedonisë, ndërkaq e njëjta …

Lini një Përgjigje

Këtë e pëlqejnë %d blogues: