Komuna e Çairit shpalli “Qytetare nderi” Hanife Limani Malaj, bashkëshorten e heroit kombëtar Rexhep Malaj

Me Vendim të Këshillit Komunal numër  08-10/5 nga data14.01.2016, sot në Komunën e Çairit u shpall “Qytetare nderi” e Komunës së Çairit znj. Hanife Limani Malaj, bashkëshortja e njërave prej figurave më të lavdishme të lëvizjes politike patriotike shqiptare, heroit të kombit, Rexhep Malaj, shëmbëlltyra më e veçantë e sakrificës sonë, i cili luftës për pavarësinë e Kosovës, qysh në vitet 80-ta ia fali jetën.

Në këtë ngjarje prezent ishte lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti, Ministri i ekonomisë Bekim Neziri, deputetë, drejtorë, qytetarë dhe figura tjera të shquara nga bota e shkencës, artit e politikës.

Pas fjalës përshëndetëse, Kryetari i Komunës së Çairit me nderë të veçantë dhe shumë emocione ndau çmimin “Qytetare Nderi” e Komunës së Çairit, znj.Hanife Malaj, bashkëshortes së heroit tonë kombëtar,  Rexhep Malaj.

 

Në vazhdim fjalimi i plotë i Kryetarit të Çairit Izet Mexhiti:

 

Sot, në këtë ambient, na ka tubuar njëra prej figurave më të lavdishme të lëvizjes politike patriotike shqiptare, heroi i kombit, Rexhep Malaj, shëmbëlltyra më e veçantë e sakrificës sonë, i cili luftës për pavarësinë e Kosovës, qysh në vitet 80-ta ia fali jetën.

Midis nesh është edhe bashkëshortja e atdhetarit të shquar, Hanife Malaj, e cila për asnjë çast nuk iu nda idealit të shokut të jetës, Rexhep Malaj. Ajo nuk është vetëm nënë e bijës së tyre, Fitorës, por është edhe nënë-simbol e sakrificave që u kurorëzuan me fitore të mëdha. Zonja Hanife ishte ajo që, si të mirën ashtu edhe të keqen, i ndau bashkë me Rexhepin, duke e mbajtur lartë flamurin e qëndresës dhe familjes.

Kjo grua, kjo nënë e sakrificës, e besnikërisë, tashmë është pjesë e historisë sonë kombëtare, sepse fuqishëm qëndroi prapa heroit tonë. Natyrisht, zonja Hanife është ndër femrat e rralla shqiptare që e ndjeu peshën e rëndë të dhembjes dhe sakrificës në rrugëtimin drejt lirisë. Ajo, gjithsesi, më shumë se të gjithë ne, ndjehet krenare se është gruaja e një martiri që i ushqeu ndjenjat patriotike te mijëra e mijëra të rinjve, të cilët, vite më vonë, kapën armët, duke u bërë luftëtarë të lirisë së Kosovës.

Në fakt, zonja Hanife, ka qenë personazhi kryesor që ia ka bërë më të lehtë qëndrim stoik të Rexhepit gjatë qëndrimit në burgjet jugosllave. Por jo vetëm Rexhepit, përkundrazi edhe shumë e shumë veprimtarëve tjerë, të cilët në personalitetin e Rexhep Malajt do të shohin burimin e qëndresës përballë armikut.

Zonja Hanife asnjëherë nuk u tremb para hordhive policore, të cilat jo njëherë bastisë shtëpinë e saj, duke përmbysur gjithçka që gjenin aty. Ajo e kishte lidhur jetën me njeriun që shumë më herët e kishte kuptuar të vërtetën se zgjidhja e çështjes shqiptare në ish Jugosllavi kishte mbetur në një vend. Ajo i qëndroi në krah bashkëshortit të saj, duke i dhënë mbështetje të plotë në luftën e tij për lirinë e shqiptarëve.

Zonja Hanife është një grua shembullore, sepse ajo ditë ta përhapë ndjenjën shpirtërore të Rexhepit për atdhedashurinë, është një grua që vazhdon të rrezatojë ngrohtësi për dashurinë ndaj atdheut, lirinë, familjen.

Po kush ishte Rexhep Malaj?

Rexhep Malaj dha një kontribut të madh në organizimin politik ilegal në hapësirat shqiptare të ish Jugosllavisë. Ishte ndër pinjollët e parë të atdhedashurisë që qartë kishte bërë me dije se pa luftë të armatosur e çlirimtare, shqiptarët nuk mund t’i realizojnë synimet shekullore.

Rexhepi kishte vetëm një ideal: ta shohë Kosovën e lirë. Si pjesëtar i Lëvizjes Nacional Çlirimtare, në vitin 1974, së bashku me Adem Demaçin e shumë anëtarë të tjerë arrestohet dhe dënohet me 9 vite burgim të rëndë. Edhe pse në kushte jashtëzakonisht të vështira, ai arrin të shkruajë ditarin “Kujtime nga Burgu”, në të cilin i paraqet torturat më çnjerëzore të UDB-së që ishin përdorur ndaj tij.

Më 23 maj 1983 ai lirohet. Bandat komuniste, edhe pse kishin përdorur metoda nga më të ndryshmet, për asnjë çast nuk kishin arritur ta thyejnë as fizikisht e as shpirtërisht dhe, ai, me një përkushtim të pashoq, do ta vazhdojë rrugëtimin e idealit të tij. 

Në jetën e tij 33-vjeçare, Rexhep Malaj, 9 vjet e 4 muaj i kaloi nëpër burgje, si në Prishtinë, Mitrovicë, Zenicë, Shtip, Prizren, Foçë, Mostar, kurse 2 vjet e gjysmë i kaloi edhe në burgun famëkeq të Idrizovës.

Në janarin e vitit 1984, përkatësisht në një natë të ftohtë midis 11 dhe 12 janar, pasi UDB-a u kishte rënë në gjurmë, në një luftë të pabarabartë, në Kodrën e Trimave në Prishtinë, Rexhepi, bashkë me shokun e idealit, Nuhi Berisha, bien heroikisht për të mos vdekur kurrë më. Kjo ngjarje i shënoi edhe shkëndijat e para të luftës së armatosur kundër regjimit antishqiptar serb.

Rexhep Malaj, siç do të dëshmohet më vonë, do të bëhet frymëzim edhe për heronjtë tjerë të kombit, si Zahir Pajazitin, Afrim Zhitinë, Fehmi Lladrovcin, Luan Haradinajn, për Ismet Jasahrin, por edhe për krye-heroin Adem Jashari e shumë e shumë të tjerë, të cilët e dhanë jetën duke luftuar heroikisht kundër regjimit serb.

Rexhep Malaj ishte një atdhetar i vendosur, i pathyeshëm dhe trim, i cili e kishte të qartë se vetëm sakrifica e sjell lirinë. Ndaj dhe ai, për brezat e më vonshme, u shndërruar në një figurë frymëzues, duke u bërë atdhetar i respektuar dhe shembull i vërtetë i shumë bashkëmendimtarëve të tij në pathyeshmërinë e tyre gjatë vuajtjeve nëpër kazamatet jugosllave.

Edhe në qeli kur isha, do të rrëfejë Rexhepi, nuk kishte ditë që nuk këndoja, edhe pse ishte rreptësisht e ndaluar. Posa dëgjonin zërin, gardianët e burgut vinin dhe më ndërprisnin. Nuk mungonin as ndëshkimet nga gjakpirësit e ndytë. Por, posa ata largoheshin, unë sërish filloja me zë të ultë, e dalëngadalë më buronte një energji dhe e ngrija zërin edhe më lartë. Por, kujt’ i këndoja vallë? Natyrisht, popullit tim, heronjve, dëshmorëve të rënë për Liri, qëndresës heroike të vëllezërve e motrave të mia shqiptarë.

Ja pra pse Rexhep Malaj u bë simbol i qëndresës së pathyeshme në rrugën e tij të vështirë për çlirimin e atdheut nga thundra e armikut.

Nuk ka dilema se heroi ynë për gjithë ata që bëri, për luftën në realizimin e ëndrrës së tij, për rezistencën e treguar, për sakrifikimin dhe për faljen e jetës në shërbim të lirisë së popullit tonë, meriton respektin e përhershëm në panteonin e shenjtë të të rënëve tanë për liri. 

E lidhur fort me Rexhepin dhe familjen e tij, Hanifja, nuse e re, në moshën 21 vjeçare, mbetet pa shokun e jetës i cili kishte zgjedhur rrugën e lirisë, rrugë e cila kërkonte shumë sakrifice. Kurse Hanifja tanimë ishte e përgatitur dhe e vendosur që t’i qëndronte besnike për jetë e mot. Ajo këtë e kishte vulosur nga momenti që i kishte dhënë dorën. Dhe do të thotë: Kur ia kam dhënë besën, ia kam dhënë edhe jetën.

Kjo, me pak fjalë është Hanife Malaj. Ndaj, jam i nderuar, por edhe i emocionuar, që sot po ia ndajmë çmim “Qytetare Nderi” e Komunës së Çairit, bashkëshortes së heroit tonë kombëtar, zonjës Hanife Malaj. /Radio Vala

About Kasam Selimi

Check Also

Enver Maliqi emërohet nënkryetar i Shkupit

Siç informojnë autoritetet e qytetit kryebashkiaku i Shkupit Petre Shilegov emëroi Enver Maliqin për zëvendës të …

Lini një Përgjigje

Këtë e pëlqejnë %d blogues: