OEMVP do të propozojë pako masash për nxitje të zhvillimit ekonomik, viti 2016 do jetë edhe më i vështirë

Shkup, 29 dhjetor 2015 – Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore (OEMVP) vitin e kaluar 2015 e vlerëson si të vështirë për biznesmenët për shkak të problemeve të brendshme dhe të jashtme dhe pret që viti i ardhshëm 2016 të jetë edhe më i vështirë në planin ekonomik, ndoshta edhe më i vështirë në dekadën e fundit.

Këtë sot në konferencë shtypi e delaroi kryetari i Odës Nebi Hoxha, duke theksuar se nga fundi i janarit do të dërgojnë kërkesë deri te Qeveria në të cilën do të propozojnë një sërë masash për nxitje të zhvillimit ekonomik të vendit dhe për tejkalim të gjendjes ekzistuese.

“Sinjalet për vitin e ardhshëm nuk janë shumë optimiste për biznes bashkësinë dhe nuk presim rritje më të madhe se 3 për qind. Viti i ardhshëm do të jetë më i vështirë ekonomikisht për shkak të problemeve të brendshme dhe të jashtme siç janë kriza e refugjatëve, kriza politike, zgjedhjet dhe problemi me emrin”, tha Hoxha.

Ai theksoi se masat e ndërmarra për zgjidhje të krizës politike nuk sollën risi në sferën ekonomike dhe se edhe pse nga biznes bashkësia disa herë kanë propozuar masa për zgjidhje, Qeveria nuk i ka marrë parasysh propozimet e tyre.

“Viti i kaluar 2015 ishte mjaft i vështirë me krizë të thellë politike, ndërsa rritja e realizuar prej 3,5 për qind nuk është rezultat i rritjes në të gjithë sektorët në ekonomi, por i favorizimit të sferave të caktuara. Kishim rritje permanente të borxhit publik, deficitit buxhetor, gropë në Fondin pensional…”, tha Hoxha.

Theksoi se nuk po mbahet mjaftueshëm llogari për sistemimin e investimeve të huaja në gjithë territorin e Maqedonisë. Vlerësoi se Agjencia për tërheqje të investimeve të huaja dhe promovim të eksportit nuk e ka kryer më së miri rolin dhe shtoi se odave ekonomike u është bërë thirrje që të krijojnë strategji për tërheqje të investimeve të huaja.

“Pagat e ulta që i japin investitorët e huaj janë arsye për varfëri. Investimet e huaja nuk kanë impakt pozitiv në ekonomi, ndërsa ndryshimi i shpeshtë i ligjeve krijon konfuzion midis bashkësisë ekonomike. Shpresoj se në vitin 2016 në këtë sferë do të punohet më së miri. Kriza me këmbimin me Kosovën dhe marrëdhëniet jo aq të fuqishme ekonomike me Shqipërinë dhe Bullgarinë e frenojnë Maqedoninë edhe në integrimet euroatlantike”, tha Hoxha.

Potencoi se infrastruktura e keqe është arsyeja kryesore për ulje të këmbimit me Kosovën dhe saktësoi se në vitin 2013 Maqedonia me Kosovën ka eksportuar mallra në vlerë prej 277 milionë euro, ndërsa ka importuar për 29 milionë euro, në vitin 2014 eksporti ka qenë 230, ndërsa importi 36 milionë euro, ndërsa në 10 muajt e parë të këtij viti kompanitë nga Maqedonia në Kosovë kanë eksportuar mallra në vlerë prej 136 milionë euro, ndërsa kanë importuar për 19 milionë euro.

Shtoi se qeveria nuk gjen mënyrë për ndërtim të autostradës Shkup – Bllacë në gjatë prej 13 kilometra që është pengesë kryesore për këmbim më të madh tregtar dhe transport më të lehtë të mallrave drejt Kosovës. /Radio Vala

About Kasam Selimi

Check Also

Mickoski: Një ditë pas ditëlindjes sime, më 30 shtator do ta shihni vendimin tim për referendumin

E shfrytëzoj këtë rast t’u drejtohem personalisht qytetarëve të Republikës së Maqedonisë, ndërkaq e njëjta …

Lini një Përgjigje

Këtë e pëlqejnë %d blogues: